Analize

A po i mbarojnë armët SHBA-ve?

Nga Gazeta ‘Si’- Kur presidenti amerikan Donald Trump doli në skenë në Samitin e Mbrojtjes dhe Inovacionit në Pensilvani, i shoqëruar nga drejtuesit e disa prej kompanive më të mëdha të industrisë së armëve në SHBA, ai kishte një mesazh të qartë: të prodhohen më shumë armë dhe më shpejt.

“Ne kemi cilësinë më të mirë në botë, por na duhet pak më shumë shpejtësi”, u tha Trump prodhuesve të armëve, ndërsa administrata e tij e paraqiti samitin si pjesë të një strategjie për të ringjallur industrinë amerikane dhe për të forcuar aftësitë ushtarake të vendit.

Megjithatë, pas kësaj thirrjeje fshihet një tjetër realitet: shpenzimi masiv i municioneve të sofistikuara gjatë afro 40 ditëve të luftimeve intensive me Iranin në kuadër të operacionit “Epic Fury”.

Sipas qeverisë amerikane, lufta i ka kushtuar SHBA-së rreth 37.5 miliardë dollarë, ku pjesa më e madhe e kësaj shume është përdorur për municione.

Deri në hyrjen në fuqi të armëpushimit më 8 prill, forcat amerikane kishin goditur mbi 13 mijë objektiva në Iran, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore kishin interceptuar më shumë se 1,700 dronë dhe raketa balistike iraniane.

Tashmë, SHBA ka pezulluar sulmet për t’i lënë hapësirë negociatave. Sipas një raporti të The New York Times, Trump u këshillua të mos e përshkallëzonte më tej konfliktin, pasi kjo do të konsumonte edhe më shumë rezervat amerikane të armëve.

Vetë Trump e ka mohuar se ekziston një mungesë municionesh.

“Kemi shumë më tepër municione se çdo vend tjetër në botë, madje më shumë sesa na duhen”, deklaroi ai për Wall Street Journal.

Megjithatë, ky ka qenë një debat i ndjeshëm brenda administratës amerikane. Vetëm pak javë më parë, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mohonte se rezervat po pakësoheshin, por së fundmi ai i kërkoi Senatit 87 miliardë dollarë shtesë për të mbuluar “mungesa kritike”, përfshirë pajisjet dhe municionet.

Shifrat e sakta mbi rezervat amerikane mbeten të klasifikuara, por të dhënat e Center for Strategic and International Studies (CSIS) tregojnë se stoqet e disa prej armëve më të rëndësishme janë tkurrur ndjeshëm dhe se zëvendësimi i tyre nuk është i shpejtë.

“Varet nga lloji i municionit, por prodhimi i një rakete mund të zgjasë nga një deri në pesë vjet. Nuk ka asgjë që mund ta përshpejtojë këtë proces”, thotë Mark Cancian, ish-kolonel i Korpusit të Marinës dhe studiues në CSIS.

Pikërisht për këtë arsye po shtrohet pyetja nëse SHBA po konsumon municionet me një ritëm që mund të ndikojë në aftësinë e saj për t’u përballur me konflikte të tjera në të ardhmen./ BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë