Nga Gazeta ‘Si’- Rastet e diabetit të tipit 2 po rriten ndjeshëm tek të rinjtë, sidomos në Mbretërinë e Bashkuar, një prirje që ekspertët e Imperial College London e lidhin kryesisht me rritjen e obezitetit pas pandemisë së Covid-19.
Analiza e të dhënave të NHS për periudhën 2011–2024 tregon se, megjithëse shumica e rasteve të reja vazhdojnë të diagnostikohen tek të moshuarit, sëmundja po shtohet me ritme të shpejta tek personat nën moshën 40 vjeç, veçanërisht tek gratë e grupmoshës 20–29 vjeç.
Diabeti i tipit 2 është një sëmundje serioze që mund të çojë në komplikacione të rënda, si infarkti dhe goditja në tru.
Kur shfaqet në moshë të re, ai priret të jetë më agresiv, duke rritur rrezikun për dëmtime afatgjata të organeve dhe ulje të jetëgjatësisë.
Sipas vlerësimeve të NHS England, rreth 12 mijë persona nën moshën 30 vjeç jetojnë aktualisht me diabet të tipit 2. Në total, rreth 90% e 6 milionë personave me diabet në Britani vuajnë nga kjo formë e sëmundjes.
Studiuesit vunë re gjithashtu se indeksi i masës trupore (BMI) në momentin e diagnostikimit është rritur më shpejt tek të rinjtë sesa tek grupmoshat më të mëdha, duke forcuar lidhjen mes obezitetit dhe diabetit.
Të dhënat tregojnë se, mes viteve 2019 dhe 2025, rastet e reja të obezitetit u rritën me 16% tek personat 20–29 vjeç dhe me gati 20% tek grupmosha 30–39 vjeç, ndërsa ranë tek të rriturit 60–79 vjeç.
“Besojmë se obeziteti i rëndë që shfaqet më herët tek të rinjtë po rrit rrezikun për diabet të tipit 2 dhe po ul moshën e diagnostikimit. Kjo është shumë shqetësuese për shkak të pasojave të rënda shëndetësore që sjell diabeti me fillim të hershëm,” tha drejtuesja e studimit, Dr. Shivani Misra.
Ajo theksoi se rritja e rasteve nuk kufizohet më vetëm tek grupet etnike që tradicionalisht konsideroheshin me rrezik më të lartë, por po vihet re gjithnjë e më shumë edhe në popullsinë e bardhë.
Simptomat më të zakonshme të diabetit të tipit 2 janë lodhja e vazhdueshme, urinimi më i shpeshtë se zakonisht dhe etja e vazhdueshme.
Ekspertët theksojnë se diagnostikimi i hershëm është thelbësor për të parandaluar dëmtimet afatgjata. Në disa raste, diabeti i tipit 2 mund të vihet në remision përmes një diete të shëndetshme, humbjes së peshës dhe aktivitetit fizik, ndërsa trajtime të reja kundër obezitetit, si medikamentet me bazë GLP-1, mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje