Drejtësia

Vrasja e Martin Canit, Apeli lë në fuqi dënimin me 16 vite burg për autorin

Gazeta Si – Gjykata e Apelit ka shpallur vendimin për Mario Përlleshajn, i cili u shpall fajtor për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij, Martin Cani.

Gjykata vendosi të lërë në fuqi dënimin e Shkallës së Parë me 16 vite burg për autorin e krimit. Ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik ndodhi në 18 nëntor 2024 në afërsi të shkollës “Fan Noli” në kryeqytet.

Autori u dënua më datë 9 dhjetor 2025 me 16 vite burg për vrasje dhe tentativën e vrasjes së shokut të viktimës, ndërsa sot Apeli e konfirmoi vendimin e Shkallës së Parë.

14-vjeçari Martin Cani mbeti i vrarë me thikë nga Përlleshaj pas një zënke të zhvilluar pak metra larg shkollës ku ai studionte.

Përplasja mes tyre për motive banale kishte zanafillë një zënë në ambjentet e shkollës tre ditë përpara ngjarjes.

Pas ngjarjes autori e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër, e cila u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza nxori se me të njëjtën thikë ishte goditur viktima dhe i plagosuri.

Çështja mori edhe kontekst politik pasi protesta të shumta u organizuan, me kërkesë për më shumë siguri në shkolla dhe dorëheqje të ministres së Arsimit.

Një konsultim i gjerë publik, i urdhëruar nga kryeministri Rama, me prindër në të gjithë vendin konkludoi në vendimin e qeverisë për të mbyllur rrjetin social “TikTok”, si një hapësirë bullizmi dhe dhune, ku adoleshentët nisin përplasjet mes tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë