Drejtësia

Nis zbatimi i amnistisë penale, përfitojnë mbi 1 mijë të dënuar

Nga Gazeta ‘Si’- Ka nisur këtë të mërkurë zbatimi i ligjit për amnistinë penale, nga i cili përfitojnë gjithsej 1 mijë e 335 persona.

Ligji, i miratuar nga Kuvendi më 18 qershor me 84 vota pro dhe i dekretuar nga Presidenti Bajram Begaj më 30 qershor, ka hyrë tashmë në fuqi.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, 466 të dënuar do të lirohen menjëherë nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ndërsa 869 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit.

Mes përfituesve janë edhe gra dhe të mitur. Mes emrave të njohur është ai i Rozeta Dobit, sanitares së ish-zyrtares Alda Klosi, në shtëpinë e së cilës u gjetën 500 mijë euro të cilat pretendonte se ia kishte dhënë shefja e saj për t’i ruajtur. Dobi ishte dënuar me 4 vite e 8 muaj burg.

Erisa Fero, ish-punonjësja e AKSHI-t që u kap me 58 kilogram kanabis, gjithashtu do të lirohet, si edhe mësuesja Marsela Pushani, e cila vrau motrën e saj të alkoolizuar. 

Amnistia zbatohet për të gjithë personat që kanë marrë një vendim gjyqësor të formës së prerë deri më 31 maj 2026, përfshirë edhe rastet kur vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është zbardhur ende.

Nga ligji përfitojnë burrat e dënuar me burgim deri në tre vjet ose me dënime më të lehta, si dhe ata që u kanë mbetur deri në tre vjet për të vuajtur.

Për gratë, kufiri është deri në katër vjet burg ose deri në katër vjet dënim të mbetur. Përfitues janë gjithashtu burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç në momentin e kryerjes së veprës penale, me përjashtim të rasteve të veprave të rënda.

Ligji parashikon gjithashtu ulje të dënimit me një vit për të dënuarit që nuk lirohen, ndërsa për gratë dhe të miturit ulja është një vit e gjysmë.

Jashtë amnistisë mbeten të dënuarit për vepra të rënda penale, si vrasjet me dashje, krimet kundër njerëzimit, krimet seksuale, trafikimi i qenieve njerëzore, terrorizmi, korrupsioni, pastrimi i parave dhe të gjitha çështjet që janë nën juridiksionin e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme.

Gjithashtu nuk përfitojnë personat që i janë shmangur drejtësisë ose ekzekutimit të vendimit penal.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, amnistia pritet të ulë me rreth 10% numrin e personave në burgjet shqiptare, ku aktualisht vuajnë dënimin 4,769 persona, ndërsa kapaciteti i sistemit penitenciar është 5,292 vende.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë