Gazeta Si – Prokuroria e Durrësit ka nisur procedimin penal ndaj 12 personave, përfshirë edhe punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), të dyshuar për një sërë veprash penale, mes të cilave falsifikim dokumentesh, mashtrim, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Pas kërkesës së organit të akuzës, Gjykata ka caktuar masa sigurie të ndryshme për personat nën hetim, duke përfshirë “Arrest me burg”, “Arrest në shtëpi” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Hetimi ka nisur në vitin 2022, pas evidentimit të parregullsive gjatë procesit të inventarizimit të regjistrave hipotekorë në ASHK Durrës. Në atë kohë u ngritën dyshime për falsifikim dokumentacioni dhe regjistrim të paligjshëm të pasurive.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet është zbuluar një skemë e dyshuar për falsifikimin e dokumenteve dhe përvetësimin e pronave në të paktën 6 raste, në zonën kadastrale 1574, konkretisht në zonën e Kallmit dhe ish-NB Frutore në Durrës. Kjo zonë konsiderohet me interes të lartë për shkak të pozicionit të saj bregdetar.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se disa persona, në bashkëpunim me punonjës të ASHK Durrës, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente pronësie, të cilat më pas janë futur në arkiv dhe janë regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme me data fiktive.
Sipas akuzës, në disa raste janë hequr fletët origjinale të regjistrave, ku pronat rezultonin me status “shtet”, dhe në vend të tyre janë vendosur dokumente të falsifikuara në emër të personave nën hetim.
Më tej, disa prej këtyre pasurive dyshohet se janë shitur te persona të tretë, me qëllim fshehjen e gjurmëve të përfitimit të paligjshëm.
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasit me iniciale R.Sh., A.K., B.Z. dhe R.Z., ndërsa për shtetasit Sh.Sh., V.M., A.M. dhe B.Xh. është vendosur masa “Arrest në shtëpi”.
Për shtetasit F.Xh., J.M., L.D. dhe A.C. është caktuar masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje