Drejtësia

Tonelata drogë nga Amerika Latine drejt Europës, SPAK çon për gjykim 15 persona

Gazeta Si – SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 15 persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, hetimi ka zbardhur një aktivitet kriminal të shtrirë në disa vende, ku të pandehurit dyshohet se kanë bashkëpunuar për trafikimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të drogës nga Amerika Latine, Spanja dhe Maroku drejt vendeve të ndryshme të Europës.

Nga hetimet rezulton se janë trafikuar dhe tregtuar mbi 8 tonë lëndë narkotike, ku përfshihen rreth 7.2 tonë kokainë, rreth 590 kilogramë hashash dhe rreth 275 kilogramë kanabis.

SPAK bën me dije se aktiviteti kriminal është koordinuar edhe përmes platformës së enkriptuar të komunikimit “Sky ECC”, të dhënat e së cilës janë siguruar në bashkëpunim me autoritetet franceze të drejtësisë.

Sipas hetimeve, disa prej të dyshuarve kanë pasur role drejtuese dhe financuese në aktivitetin kriminal, ndërsa të tjerë dyshohet se kanë marrë pjesë në organizimin dhe realizimin e trafikut të lëndëve narkotike.

Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë në disa vende europiane dhe Amerikën Latine, si dhe me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit.

SPAK ka bërë të ditur se hetimet do të vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë, si dhe për ndjekjen e pasurive dhe aseteve që mund të jenë krijuar nga aktiviteti kriminal.

Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e hetimeve për tre persona nën hetim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë