Drejtësia

SPAK arreston një tjetër drejtues të grupit kriminal, 3 episode të trafikut të drogës

Gazeta Si – SPAK ka arrestuar një tjetër person i dyshuar si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë shtetasi me inicialet E.B, ku dyshohet të ketë pasur një rol drejtues në organizimin e një prej episodeve të trafikut të drogës drejt Turqisë.

Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë të drejtësisë.

Në këtë operacion kanë marrë pjesë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, Policia Kriminale, Eurojust dhe Europol. Sipas SPAK, grupi kriminal dyshohet se organizonte trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt disa vendeve të Europës dhe më tej nga Amerika e Jugut drejt Bashkimit Europian.

Hetimet kanë dokumentuar disa episode të sekuestrimeve të marijuanës dhe kokainës në Mal të Zi, Turqi dhe Holandë.

Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj E.B., masën e sigurimit “arrest në burg”, e cila është ekzekutuar nga Policia e Shtetit.

Hetimet kanë dokumentuar tre episode të trafikut ndërkombëtar të drogës:

Më 3 nëntor 2020, autoritetet malazeze sekuestruan 1,722 kilogramë marijuanë, e transportuar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.

Më 26 janar 2021, autoritetet turke sekuestruan 236 kilogramë marijuanë, të nisur nga Shqipëria drejt Turqisë.

Më 23 nëntor 2020, autoritetet holandeze sekuestruan 475 kilogramë kokainë në Portin e Vlissingen, ngarkesë e ardhur nga Ekuadori.

Nga këqyrja dhe analiza e të dhënave të administruara, është bërë e mundur identifikimi fillimisht i 14 (katërmbëdhjetë) personave nën hetim, të proceduar më parë për interesa të këtij procedimi penal: I. S., (alias X.,), E. Sh., R. Rr., B. S (alias X), A. N (alias L. S.,), H. S (alias X, alias L.,), V. B., P. Rr., G. Rr., A. A., (alias Ç.,), A. Gj., (alias I.,), A. Q., J. Ç., dhe M. B., ndaj të cilëve, janë caktuar dhe masat e sigurimit personal pasi dyshohen se kanë qenë të përfshirë në veprimtari kriminale në trafikimin të lëndëve narkotike.

SPAK thekson se hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë