Drejtësia

Gjyqi i Erion Veliajt, refuzohet kërkesa e Ajola Xoxës për pezullim të procesit pas lindjes së fëmijës

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka shtyrë këtë të martë për më 21 korrik procesin ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe të akuzuarve të tjerë.

Gjatë seancës, avokatët e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, kishin kërkuar që shqyrtimi gjyqësor të shtyhej deri në 31 gusht, kur asaj i përfundonte leja e lindjes, por gjykata e refuzoi këtë kërkesë.

Kryebashkiaku nuk mori pjesë në seancën e gjyqit në themel, kjo bazuar edhe nga deklarata e tij e mëparshme, se “pa e nxjerrë nga kafazi i xhamtë” nuk do të paraqitet në seancë.

Gjykata, pasi u tërhoq në Dhomë Këshillimi për të shqyrtuar kërkesën e avokatëve të Ajola Xoxës, për pezullimin e shqyrtimit gjyqësor me 63 ditë pas lindjes së fëmijës, mori vendimin për rrëzimin e kërkesës.

Sipas gjykatës, që prej depozitimit të kërkesës për gjykim në themel, Ajola Xoxa nuk ka marrë pjesë personalisht në asnjë seancë, por është përfaqësuar nga mbrojtësit e saj ligjorë.

Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa

Gjykata vlerësoi se është provuar fakti që ajo ka lindur me ndërhyrje kirurgjikale më 29 qershor. Për këtë arsye, me qëllim garantimin e të drejtës për të qenë e pranishme në proces, vendosi shtyrjen e seancës.

Sipas kërkesës së depozituar në gjykatë, Xoxa argumenton se dëshiron të jetë personalisht e pranishme në proces për të garantuar një mbrojtje efektive dhe nuk autorizon avokatët që ta përfaqësojnë në mungesë. Por kërkesa e saj nuk u mor parasysh.

Po ashtu, trupa gjykuese vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn deri në zhvillimin e seancës së radhës, të caktuar më 21 korrik, në orën 10:00.

Nga ana tjetër gjykata ka konstatuar gjatë seancës që Veliaj nuk do të marrë pjesë, por do të përfaqësohet nga avokati i tij.

Prokuroria ka ngritur 13 akuza ndaj Erion Veliajt, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.

Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për fshehje të të ardhurave, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.

Personat e tjerë të akuzuar përfshijnë biznesmenë të ndryshëm, të cilët sipas prokurorisë kanë kryer korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë, si dhe fshehje dhe pastrim të të ardhurave të paligjshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë