Futboll

Spanja, Portugalia dhe Zvicra në fazën e 1/8-ave, ëndrra e Ronaldos vazhdon

Gazeta Si – Portugalia ka arritur të kualifikohet në 1/8-at e Botërorit, pas fitores me përmbysje 2-1 përballë Kroacisë.

Takimi i luajtur në Toronto prodhoi spektakël, teksa goli i parë erdhi vetëm në minutën e 53’, kur Perisiç dërgoi topin në rrjetë.

Ronaldo barazoi në minutën e 61’, por VAR ndërhyri për t’i prishur festën. Gjithsesi, pas 7 minutash ishte sërish teknologjia që ndërhyri, kësaj radhe për t’i akorduar një 11-metërsh luzitanëve, i cili u shndërrua në gol pikërisht nga ylli 41-vjeçar.

Atëherë kur çdo gjë mendohej se po shkonte drejt fundit, ishte Gonçalo Ramos, i cili me një goditje me kokë pas krosimit të Leaos, tundi sërish rrjetën.

Në sekondat e fundit, Gvardiol tundi sërish rrjetën, por VAR-i ndërhyri për herë të tretë, duke i anuluar golin kroatëve dhe duke i dhënë një goditje të rëndë ballkanasve.

Kështu ëndrra e Ronaldos për të fituar një Botëror vazhdon, me Portugalinë që do të ndeshet në 1/8-at me Spanjën, ndërsa Kroacia e mbyll këtu aventurën në Botëror, me Modriç që dorëzohet pa fituar asgjë me kombëtaren e tij.

Spanja vazhdon të konfirmojë statusin e një prej skuadrave favorite në Botërorin 2026. Iberikët mposhtën me rezultatin e pastër 3-0 Austrinë në ndeshjen e zhvilluar në “SoFi Stadium” në Los Angeles, duke siguruar kualifikimin për në fazën tjetër të turneut.

Dominimi i spanjollëve u konkretizua në minutën e 36-të. Pas një aksioni të ndërtuar me qetësi dhe precizion, Marc Cucurella shërbeu për Mikel Oyarzabal, i cili nuk gaboi nga brenda zonës dhe kaloi ekipin e tij në avantazh. Për sulmuesin spanjoll ky ishte goli i tretë personal në këtë Botëror.

Në fundin e pjesës së parë, Spanja ishte shumë pranë dyfishimit të rezultatit. Fillimisht Alex Baena goditi traversën nga një goditje dënimi, ndërsa në vazhdim Lamine Yamal provoi të shënonte, por portieri Alexander Schlager reagoi në mënyrë fantastike, duke mbajtur Austrinë në lojë.

Pesë minuta më vonë, Spanja vulosi praktikisht fatin e takimit. Alex Baena dha një krosim të saktë në zonë, ndërsa Pedro Porro u shkëput nga mbrojtja dhe realizoi me kokë për rezultatin 2-0.

Në minutën e 89-të erdhi edhe goli i tretë. Edhe një herë Cucurella u shndërrua në protagonist me asistin e tij, ndërsa Oyarzabal kompletoi dopietën personale, duke mbyllur përfundimisht llogaritë e sfidës.

Zvicra mundi Algjerinë me rezultatin 2–0 në një ndeshje të fazës së 32-sheve të Kupës së Botës 2026, të luajtur në Vankuver.

Golat u shënuan nga Embolo në minutën e 10-të dhe Ndoye në minutën e 46-të. Zviceranët thyen mallkimin e tyre, duke fituar një ndeshje me eliminim direkt në Kupën e Botës për herë të parë pas 88 vitesh, dhe tani do të përballen me fituesin e ndeshjes mes Kolumbisë dhe Ganës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë