Futboll

Ronaldo vs Modrić, ‘vallëzimi’ i fundit mes dy Topave të Artë!

Gazeta Si – Një biletë për këtë “vallëzim të fundit” mund të kushtojë deri në 21.000 dollarë, por jini të sigurt se stadiumi “BMO Field” në Toronto të Kanadasë do të jetë plot e përplot sonte (në orën 01:00 me orën shqiptare).

Portugalia dhe Kroacia do të përballen në një ndeshje të rëndësishme të fazës së 32-sheve; në lojë nuk është vetëm një vend në fazën tjetër (atë të 16-sheve) kundër fituesit të ndeshjes Spanjë-Austri, por edhe një mbrëmje historike – një përballje brenda përballjes që vë përballë njëri-tjetrit dy kampionë që kanë shënuar dy dekadat e fundit të futbollit, ndoshta për herë të fundit: Cristiano Ronaldo dhe Luka Modrić. Vetëm njëri prej tyre do ta mbajë gjallë “Ëndrrën Amerikane”.

Në moshën 41 vjeç – një moshë që Luka do ta mbushë më 9 shtator – nuk ka gjasa të ketë një mundësi tjetër.

Njëmbëdhjetë tituj të Ligës së Kampionëve dhe 6 Topa të Artë së bashku: vetëm kjo kap rëndësinë e përballjes midis dy ish-shokëve të ekipit në Real Madrid. “Ne jemi miq”, tha kroati disa kohë më parë, megjithëse ylli portugez nuk e priti shumë mirë në vitin 2018, kur Luka me meritë fitoi çmimin “France Football” pas finales së Kupës së Botës.

E gjithë kjo i përket të shkuarës. Sot, rëndësi ka vetëm e tashmja. Modrić ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen e tij: kontrata me Milanin i skadoi të martën e kaluar, por pronari Cardinale dëshiron ta bindë atë të qëndrojë edhe për një sezon.

“Do të vendos vetëm në fund të turneut”, përsërit vazhdimisht lojtari, pasi synon ta diskutojë çështjen me familjen e tij.

Vajza e tij, Ema, luan për ekipin U-13 të kuqezinjve. Tërheqja që ushtron Madridi – ku familja Modrić ka banesën kryesore dhe ku, thënë thjesht, ruhen trofetë e tyre, përfshirë “Topin e Artë” – mbetet e fortë.

Një mundësi është që ai të nisë një karrierë si drejtues ose trajner. “E ndjej se fundi i karrierës po afron; e di që vitet po kalojnë, por futbolli ka qenë jeta ime dhe do të jap gjithçka deri në fund”, – tha ai pas fitores 2-1 ndaj Ganës.

Nga buzëqeshjet e Modrić-it te zemërimi i Cristianos – ai i përket asaj race sportistësh që gjithmonë kanë nevojë për një armik për të dhënë maksimumin.

Aktualisht, ai kundërshton shtypin portugez, duke i akuzuar ata se po punojnë kundër tij dhe po rrisin presionin.

Marrëdhëniet me shokët e rinj të ekipit nuk janë gjithmonë të drejtpërdrejta, pavarësisht mohimeve të detyrueshme.

“Ai është një lojtar si çdo tjetër”, tha João Neves, vetëm për t’u përballur me fyerje në rrjetet sociale nga tifozët e CR7 që e quanin mosmirënjohës.

“Duke shpresuar për më të mirën dhe duke u përgatitur për më të keqen”, – shkroi “A Bola” – e përditshmja kryesore sportive e vendit – duke treguar se besimi te kombëtarja nuk është veçanërisht i lartë: “Nuk ka asnjë plan”.

Fiks një vit më parë, më 3 korrik 2025, Diogo Jota humbi jetën në një aksident automobilistik së bashku me vëllain e tij, André.

Ishte një tragjedi që tronditi thellë si kampin portugez, ashtu edhe mbarë vendin. Të gjithë lojtarët mbajnë një byzylyk në fushë – një dhuratë nga kryeministri Luís Montenegro.

Në të janë gdhendur emrat e gjithë skuadrës, përfshirë atë të Diogos: një mënyrë për ta marrë atë me vete në Kupën e Botës dhe për ta mbajtur gjallë kujtimin e tij.

“Duam të fitojmë për të”, – tha trajneri Martinez. Një vallëzim i fundit, për të nderuar ata që nuk janë më mes nesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë