Mode

Vala e të nxehtit sfidon Javën e Modës në Paris- Kur fantazia përplaset me realitetin klimatik

Vapa ekstreme që goditi Europën javën e kaluar nuk kurseu as Javën e Modës për meshkuj në Paris, duke e kthyer një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë në një provë të vështirë për stilistët, modelet dhe të ftuarit.

Ndërsa temperaturat arritën nivele rekord, shumë pjesëmarrës vijuan të respektonin kodin e modës, duke u shfaqur me kostume të trasha, xhaketa, xhinse, çizme dhe madje edhe shallë leshi, pavarësisht kushteve përvëluese.

Në pasarelë, koleksionet për sezonin Pranverë-Verë 2027 dukeshin po aq larg realitetit klimatik.

Dior prezantoi pallto dhe veshje me lesh, Louis Vuitton solli pantallona e xhaketa lëkure, ndërsa Givenchy, në debutimin e Sarah Burton për linjën e meshkujve, e ktheu lëkurën në materialin dominues të koleksionit.

Edhe Kenzo propozonte xhaketa bomber të trasha, ndërsa Rick Oëens prezantoi kostume voluminoze, mes tyre edhe një model me ventilator të integruar.

Temperaturat e larta detyruan organizatorët të ndryshonin oraret e disa sfilatave, si ato të Dior dhe Rick Oëens, duke i zhvendosur në mëngjes për të shmangur vapën e mesditës. Ndërkohë, ekipet organizative shpërndanin çadra, akullore, pako freskuese dhe ventilatorë dore për të ndihmuar të ftuarit të përballonin kushtet ekstreme.

Për shumë të pranishëm, kontrasti mes realitetit dhe asaj që shfaqej në pasarelë ishte i dukshëm. Kryeredaktori i revistës i-D, Thom Bettridge, e cilësoi pamjen e njerëzve që djersinin ndërsa shikonin koleksione të rënda si një metaforë të krizës klimatike që po përjeton bota.

Aktori francez Antoine pranoi se ndjente vapën edhe vetëm duke parë veshjet në pasarelë.

Debati që u hap gjatë javës së modës shkoi përtej estetikës. Europa po ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja globale, ndërsa industria e modës konsiderohet një nga ndotëset më të mëdha për shkak të emetimeve të gazeve serrë. Kjo ngriti pyetjen nëse sfilatat duhet të vazhdojnë të prezantojnë vizione tërësisht fantastike apo të reflektojnë më shumë realitetin e një bote që po përballet me temperatura gjithnjë e më të larta.

Megjithatë, jo të gjithë ndanë të njëjtin mendim. Disa kritikë të modës argumentuan se pasarela nuk ka për detyrë të jetë praktike, por të ushqejë imagjinatën. Sipas tyre, koleksionet komerciale gjenden në shoëroom-et e markave, ndërsa sfilatat mbeten një hapësirë për eksperimentim dhe fantazi.

Nga ana tjetër, shitësit dhe stilistët pranuan se ndryshimet klimatike po ndikojnë drejtpërdrejt edhe biznesin.

Andreas Murkudis, pronar i një dyqani konceptual në Berlin, tha se stinët kalimtare pothuajse janë zhdukur dhe konsumatorët kanë gjithnjë e më pak nevojë për xhaketa apo veshje të ndërmjetme, duke kaluar pothuajse menjëherë nga temperaturat e freskëta në vapën e verës.

Edhe stilisti Kiko Kostadinov theksoi vështirësinë e krijimit të koleksioneve për një treg global, ku hemisfera veriore dhe ajo jugore përjetojnë stinë të kundërta. Për këtë arsye, ai u përpoq të përdorte materiale më të lehta dhe më të gjithanshme që mund të përshtaten në klima të ndryshme.

Megjithatë, disa marka treguan se moda mund të jetë njëkohësisht kreative dhe funksionale. IM Men nga Issey Miyake prezantoi kostume të lehta, xhaketa dhe pëlhura të holla, ndërsa Dries Van Noten solli këmisha mëndafshi dhe veshje të krijuara posaçërisht për të dhënë ndjesinë e freskisë.

Edhe markat më të vogla u dalluan për qasjen më realiste ndaj temperaturave të larta.

Tigra Tigra ndërtoi koleksionin mbi idenë e veshjeve që mund të përballojnë vapën tropikale. Po ashtu, stilisti holandez Camiel Fortgens prezantoi veshje të frymëzuara nga stili i rrugës, të menduara për t’u veshur në jetën e përditshme dhe jo vetëm në pasarelë.

Në fund, Java e Modës në Paris nxori në pah një kontrast gjithnjë e më të dukshëm mes fantazisë së modës luksoze dhe realitetit të krizës klimatike.

Ndërsa temperaturat vazhdojnë të thyejnë rekorde, sfida për industrinë nuk është vetëm të krijojë veshje spektakolare, por edhe të gjejë mënyra për t’i bërë ato të përshtatshme për botën që po ndryshon.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë