Gazeta Si – Brazili ka siguruar vendin e parë në Grupin C të Botërorit 2026, pas një fitoreje bindëse 3-0 ndaj Skocisë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.
Përfaqësuesja e drejtuar nga Carlo Ancelotti nuk hasi asnjë vështirësi përballë skocezëve, të cilët u shfaqën të pafuqishëm gjatë gjithë takimit.
Ylli i ndeshjes ishte Vinicius Junior, i cili realizoi dy gola në minutat e 7-të dhe 48-të, ndërsa Matheus Cunha vulosi suksesin me golin e tretë në minutën e 60-të. Në pjesën e dytë u rikthye edhe Neymar, i cili bëri debutimin e tij në këtë edicion të Kupës së Botës dhe regjistroi pjesëmarrjen e katërt në karrierë në një Botëror, duke marrë duartrokitjet e tifozëve.
Me këtë sukses, Brazili e mbyll grupin në krye dhe në fazën e 1/16-ave do të përballet me skuadrën e dytë të Grupit F, ku në garë janë Holanda, Japonia dhe Suedia.
Nga ana tjetër, Skocia ndodhet në një situatë të vështirë. Humbja e thellë e ka lënë me diferencë golash negative (-3), duke rrezikuar seriozisht kualifikimin si një nga skuadrat më të mira të vendeve të treta.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Maroku siguroi kualifikimin pas fitores 4-2 ndaj Haitit, por jo pa vuajtje. Afrikanët u gjendën dy herë në disavantazh gjatë pjesës së parë, fillimisht nga goli i Isidor dhe më pas pas një autogoli të portierit Bono.
Megjithatë, marokenët reaguan shpejt duke barazuar dy herë me Achraf Hakimi dhe Ismael Saibari. Në pjesën e dytë ata morën kontrollin e lojës dhe vulosën fitoren falë golave të Soufiane Rahimi dhe Yassine.
Edhe pse e mbylli grupin me 7 pikë, po aq sa Brazili, Maroku përfundoi në vendin e dytë për shkak të diferencës më të dobët të golave (+3 kundrejt +6 të brazilianëve).
Meksika vazhdon me paraqitjet mbresëlënëse në Kupën e Botës duke mposhtur Çekinë me rezultatin 3-0 dhe duke fituar të tre ndeshjet e fazës së grupeve për herë të parë në historinë e saj.
Mateo Chavez hapi serinë e golave në minutën e 55-të, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë Julian Quinones dyfishoi avantazhin e meksikanëve me golin e tij të dytë në këtë turne. Fitorja u vulos në minutat shtesë të pjesës së dytë nga Alvaro Fidalgo.
Arritja përfaqëson performancën më të mirë të Meksikës në fazën e grupeve të një Kupe Bote. Deri tani, rezultati më i mirë kishte qenë dy fitore dhe një barazim, i regjistruar në vitet 1986 dhe 2002, në të dy rastet me Javier Aguirre si figurë kyçe – fillimisht si lojtar dhe më pas si trajner.
Si fituese e Grupit A, Meksika do të luajë të martën në stadiumin Azteca në raundin e 32 skuadrave, ku do të përballet me një kundërshtar që ende nuk është përcaktuar.
Nga ana tjetër, Çekia u eliminua nga turneu, duke e mbyllur fazën e grupeve me vetëm një pikë në tri ndeshje.
Një tjetër moment historik erdhi në minutën e 77-të, kur portieri legjendar Guillermo “Memo” Ochoa, 40 vjeç, hyri në fushë dhe u bë një nga lojtarët e rrallë që kanë marrë pjesë në gjashtë Kupa Bote, duke iu bashkuar Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.
Afrika e Jugut ka siguruar për herë të parë në histori një vend në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës, pasi mposhti Korenë e Jugut me rezultatin minimal 1-0 në ndeshjen vendimtare të Grupit A.
Heroi i takimit ishte Thapelo Maseko, i cili realizoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 63-të pas një asistimi të saktë nga Tshepang Moremi. Falë kësaj fitoreje, Afrika e Jugut e mbylli grupin në vendin e dytë, pas Meksikës, që fitoi të tre ndeshjet e saj.
Në fazën e 1/16-ve, afrikano-jugorët do të përballen me Kanadanë, skuadrën e renditur e dyta në Grupin B, në një ndeshje që do të zhvillohet të dielën në Inglewood të Kalifornisë.
Zvicra dhe Kanadaja janë dy kombëtaret e Grupit A që kanë siguruar zyrtarisht kualifikimin për në raundin e ardhshëm të Botërorit, pas ndeshjeve të fundit të fazës së grupeve.
Në takimin e zhvilluar në Vancouver, Zvicra triumfoi 2-1 ndaj Kanadasë, duke mbyllur grupin në vendin e parë me 7 pikë. Pjesa e parë u mbyll pa gola, por helvetët e nisën vrullshëm fraksionin e dytë të lojës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje