Ngjarje

Tensione në Aeroportin e Vlorës, Pacolli: SPAK të nisë hetim të plotë

Nga Gazeta Si- Punonjësit e ‘Mabco’-s të Behgjet Pacollit janë rikthyer në kantierin e Aeroportit të Vlorës, siç biznesmeni njoftoi të dielën me një postim në “Facebook”.

Por sapo kanë mbërritur atje, janë përplasur me rojet e sigurisë që i kanë penguar të hyjnë. Gjithashtu ka pasur konfliktime edhe me punonjësit e “2A Group” të Valon Ademit dhe i kanë nxjerrë këta të fundit jashtë nga zyrat.

Rikthimi i punonjësve të ‘Mabco’-s në kantier vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë që i riktheu kompanisë së biznesmenit Pacolli të drejtën e administrimit.

Në reagim, Pacolli shkruan se “Mabco Constraction SA i qëndron njoftimeve publike dhe nominale drejtuar institucioneve për vijimin e punës të hënën dhe pret nga ato mbështetje ligjore dhe dënim të ashpër për penguesit dhe abuzuesit e ligjit. Çdo veprim apo mosveprim  ndaj abuzuesve me vetëgjyqësi do të konsiderohet si një alibi e papranueshme”, shkruan Pacolli, duke thënë më tej se Mabco Constructions S.A. mbetet e vendosur për mbrojtjen e të drejtave të saj ligjore dhe për realizimin e projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në përputhje me ligjin dhe interesin publik.

Ndërsa sot, Pacolli ka bërë një tjetër reagim, duke thënë se pasi punonjësit e MABCO dhe nënkontraktorët kanë mundur të rikthehen në punë, ka nisur dhe verifikimi i dëmeve të shkaktuara gjatë kësaj kohe.

Gjithashtu, Pacolli bën thirrje edhe për SPAK që të nisë hetimet.

“I bëj thirrje publike SPAK që të nisë menjëherë një hetim të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës për të gjitha ngjarjet kriminale të ndodhura gjatë kësaj periudhe, pa asnjë dallim dhe pa asnjë mbrojtje për askënd, pavarësisht pozitës, ndikimit apo lidhjeve që mund të ketë”, thotë Pacolli.

Ai shton se, fatkeqësisht, ende nuk janë njohur me gjendjen reale në Aeroportin e Vlorës.

“Për këtë arsye, i bëj thirrje urgjente SPAK-ut të nisë menjëherë hetime të plota mbi këtë skandal të rëndë, të krijuar dhe ushqyer nga individë që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë në kundërshtim me ligjin”, thotë Pacolli.

Ai thotë se dëmet e konstatuara përfshijnë si inventarin e çmuar, të projektuar, porositur, prodhuar dhe instaluar posaçërisht për funksionimin e aeroportit, ashtu edhe instrumentet, pajisjet dhe mjetet e punës që përbëjnë pronë private të kompanive nënkontraktuese.

“Për më shumë se dhjetë muaj, këto grupe kriminale kanë vepruar në kundërshtim flagrant me ligjin, me metoda të papranueshme dhe çnjerëzore, duke cenuar jo vetëm pronën private, por edhe rendin juridik dhe sigurinë e investimeve.

Më shqetësues është fakti se veprimtaria e tyre dyshohet se është mbështetur ose toleruar nga individë që fshihen pas petkut institucional, ndërsa në raste të caktuara kanë tentuar të ndikojnë edhe procese gjyqësore, duke sfiduar hapur sistemin e drejtësisë në Shqipëri”, thotë Pacolli, duke shtuar se është e domosdoshme të identifikohet dhe të vihet përpara përgjegjësisë i gjithë zinxhiri i personave të përfshirë në këto veprime të rënda.

Po aq e rëndësishme, thotë ai, është që institucionet kompetente të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm të situatës dhe për të garantuar sigurinë e punonjësve, të kompanive kontraktuese dhe të “çdo qytetari që beson tek puna, ligji dhe vlerat e një shoqërie të qytetëruar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë