Një procedurë e re minimalisht invazive mund të ofrojë shpresë për miliona njerëz që vuajnë nga osteoartriti i gjurit, forma më e zakonshme e artritit që shkakton dhimbje kronike, inflamacion dhe kufizim të lëvizshmërisë.
Sipas një studimi të publikuar në revistën “Radiology”, shkencëtarët gjermanë kanë testuar me sukses një trajtim të quajtur embolizimi i arteries gjenikulare (GAE), i cili synon enët anormale të gjakut që zhvillohen rreth nyjës së gjurit dhe që lidhen me inflamacionin dhe dhimbjen e vazhdueshme.
Osteoartriti i gjurit prek mbi 365 milionë njerëz në mbarë botën. Aktualisht, trajtimi zakonisht përfshin ndryshime në stilin e jetesës, humbje peshe, ushtrime fizike, përdorimin e qetësuesve të dhimbjeve dhe anti-inflamatorëve, si dhe ndërhyrje kirurgjikale, përfshirë zëvendësimin e nyjës së gjurit.
Megjithatë, sipas studiuesve, shumë pacientë ndodhen mes dy alternativave: trajtimet konservatore nuk japin më efekt, ndërsa operacioni nuk është ende i mundur ose i dëshirueshëm. Pikërisht për këtë grup pacientësh mund të shërbejë procedura e re.
Gjatë trajtimit, një radiolog ndërhyrës fut një kateter të hollë në enët e gjakut dhe injekton mikrosfera me bazë xhelatine që bllokojnë përkohësisht enët problematike.
Kjo ul inflamacionin dhe zvogëlon dhimbjen. Grimcat treten natyrshëm brenda pak orësh pasi kanë kryer funksionin e tyre.
Studimi përfshiu 194 pacientë me osteoartrit të gjurit, të cilët nuk kishin përfituar nga të paktën tre muaj trajtim tradicional.
Pjesëmarrësit kishin një moshë mesatare 69 vjeç dhe shumica ishin mbipeshë, një nga faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e sëmundjes.
Përveç reduktimit të dhimbjes, pacientët raportuan përmirësime të ndjeshme në funksionimin e gjurit, aftësinë për të kryer aktivitetet e përditshme dhe pjesëmarrjen në aktivitete sportive apo rekreative. Studiuesit vunë re gjithashtu një rritje të konsiderueshme të cilësisë së jetës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje