Gazeta Si – Duke filluar nga 1 qershori, rregullorja e re e pastërtisë urbane në “Shibuya”, një nga lagjet më të ngarkuara në kryeqytetin japonez Tokio dhe më e popullarizuara nga turistët, vendos një gjobë prej 2,000 jen (rreth 11 euro) për këdo që kapet duke hedhur mbeturina.
Për ta zbatuar këtë, është formuar një lloj “policie mbeturinash”: një ekip prej rreth 60 oficerësh që enden në zonë, përfshirë kalimin e famshëm për këmbësorë, të armatosur me një tufë faturash dhe një terminal pagesash elektronike.
Japonia është një vend i njohur për vëmendjen e saj të madhe ndaj pastërtisë publike, e cila mirëmbahet më shumë nga ndërgjegjësimi qytetar i banorëve të saj, sesa nga prania e kazanëve të plehrave, të cilët praktikisht nuk i ka.
Arsyet janë të ndryshme, duke filluar nga fakti që qeveritë lokale nuk duan t’u lejojnë njerëzve të hedhin mbeturinat shtëpiake në kazanët publikë (dhe kështu shmangin ndarjen e mbeturinave), deri te frika se ato mund të përdoren për të fshehur bomba për sulme.
Kjo frikë zakonisht i ka rrënjët te sulmet me gaz sarin të vitit 1995 në metronë e Tokios, edhe pse qeset që përmbanin helmin e përdorur në sulm ishin vendosur në trena dhe jo në koshin e mbeturinave.
Mungesa e kazanëve të plehrave është shpesh konfuze për turistët e huaj: në një sondazh të kohëve të fundit, ishte problemi më i zakonshëm që hasin udhëtarët, me 22 përqind që e raportuan atë si vështirësinë kryesore që kanë pasur në vend.
Nëse e gjeni veten me mbeturina, duhet t’i çoni në shtëpi ose të gjeni një dyqan me një kazan plehrash. Megjithatë, të dhënat tregojnë se të huajt dhe japonezët kanë të njëjtën gjasa të hedhin mbeturina përreth.
Rregullat e reja në “Shibuya”, e cila ka një popullsi prej rreth 240,000 banorësh dhe qeveriset pak a shumë si një qytet autonom, ende synojnë kryesisht të huajt, me një slogan të dedikuar në anglisht (“Nëse hidhni mbeturina, humbni parà”) dhe disa mbledhës gjobash të trajnuar për të bashkëvepruar në gjuhë të tjera, duke përfshirë anglishten dhe koreanishten. Në ditët e para që “policia e mbeturinave” hyri në veprim, ata lëshuan midis 9 dhe 15 gjoba.
Rregullat kanë ndryshuar edhe për dyqanet e lagjes. Ata që shesin ushqime për të marrë me vete, makina shitëse dhe ato që ndodhen në zona të caktuara, tani duhet të kenë një kosh mbeturinash dhe t’u lejojnë jo-klientëve ta përdorin atë. Ata që nuk i përmbahen rregullave përballen me një gjobë prej 50,000 jen (rreth 300 euro).
Kjo është një nga pikat më të kritikuara të rregullores: disa dyqane kanë thënë se duhet të shpenzojnë qindra euro në muaj për asgjësimin e mbeturinave, duke u ankuar se duhet të përballen me kostot e një problemi publik, duke pasur parasysh se koshat e mbeturinave shpesh përdoren jo vetëm nga klientët e tyre, por edhe nga kalimtarët që mbajnë mbeturinat e tyre nga blerjet e tjera. Megjithatë, qeveria lokale dëshiron të rrisë numrin e koshave të mbeturinave publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje