Nga Gazeta ‘Si’– Aleatët e Ukrainës po përpiqen të shmangin një përplasje me presidentin amerikan Donald Trump në samitin e G7, ndërsa ai del nga kriza me Iranin dhe rikthen vëmendjen e tij te lufta Rusi–Ukrainë.
Trump u shfaq me humor të mirë gjatë mbërritjes në Francë, një ditë pas ditëlindjes së tij, duke deklaruar për gazetarët se gjithçka ishte “e këndshme”, përpara se të zhvillonte një takim të përzemërt me presidentin francez Emmanuel Macron.
Atmosfera në takim u përshkrua si korrekte dhe pa tensione të dukshme.
Më pas, presidenti amerikan deklaroi se do të përdorë hapësirën e krijuar pas përfundimit të krizës me Iranin për t’u fokusuar në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë- një konflikt që ai gjatë fushatës së vitit 2024 kishte premtuar se do ta mbyllte brenda 24 orëve pas marrjes së detyrës.
“Rreth 25 mijë njerëz në muaj po vdesin, kryesisht ushtarë. Kjo nuk duhet të ndodhë’, tha ai.
Deklarata të tilla nuk po i qetësojnë aleatët kryesorë të Ukrainës në Europë. Përkundrazi, në kryeqytetet europiane po rritet shqetësimi se një rikthim i fortë i angazhimit amerikan mund të ndryshojë ekuilibrat aktualë diplomatikë.
Pas kuintave, zyrtarë europianë druhen se presidenti amerikan, i çliruar tashmë nga menaxhimi i përditshëm i krizës së Iranit, mund të përpiqet të rimarrë kontrollin e procesit të negociatave për paqen në Ukrainë, duke e zhvendosur Europën në një rol dytësor dhe duke rrezikuar strategjinë e saj të presionit maksimal ndaj Rusisë.
“Që Trump të ishte i shpërqendruar nuk ishte domosdoshmërisht gjë e keqe,” tha një diplomat i Bashkimit Europian, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Çështja e luftës në Ukrainë pritet të kthehet në qendër të vëmendjes gjatë samitit, kur Trump dhe liderët e G7 do të takohen me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në një seancë pune që do të zgjasë rreth dy orë.
Zelenskyy ka vazhduar të theksojë publikisht se përfshirja e Shteteve të Bashkuara mbetet vendimtare për përfundimin e luftës. Sipas tij, biseda e fundit me Trump ka prodhuar “ide të mira që mund të ndihmojnë afrimin e paqes”.
Një zyrtar i administratës Trump u shpreh se presidenti “ka një qasje humanitare” dhe dëshiron përfundimin e konfliktit sa më shpejt, duke shtuar se ai mbetet optimist për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Megjithatë, për shumë vende europiane, deklaratat e Trump se mund të “bëjë diçka” në këtë drejtim- pas telefonatave të ndara me presidentin rus Vladimir Putin dhe Zelenskyy- ngjallin frikë se Europa mund të anashkalohet sërish në procesin vendimmarrës.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka theksuar se çdo proces negociator duhet të përfshijë si Ukrainën ashtu edhe Rusinë, me praninë e SHBA-së dhe Europës si partnerë të barabartë në tryezë.
“Negociatat e duhura janë ato ku Ukraina dhe Rusia ulen në tryezë, dhe Europa dhe Amerika janë pranë tyre,” tha Macron në një intervistë televizive.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen deklaroi se rritja e mbështetjes financiare për Ukrainën duhet të jetë prioritet i G7. Ajo theksoi se Europa po mbulon pjesën më të madhe të nevojave financiare të Kievit për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, ndërsa kërkoi që partnerët e tjerë të kontribuojnë më shumë.
Presidenti i Këshillit Europian António Costa nënvizoi rëndësinë e unitetit të G7, duke e cilësuar atë si thelbësor për përfundimin e një konflikti që ka zgjatur më shumë se Lufta e Parë Botërore.
Ndërkohë, në Bruksel po forcohet linja e vazhdimit të presionit ndaj Rusisë përmes sanksioneve të reja, përfshirë kufizime ndaj flotës së ashtuquajtur “shadow fleet” dhe ruajtjen e kufirit të çmimit të naftës ruse.
Por ka pak sinjale se SHBA-ja do të ndjekë të njëjtën qasje në këtë fazë, duke shtuar pasigurinë për drejtimin e ardhshëm të negociatave.
Në këtë sfond, mbetet e hapur pyetja se kush do të udhëheqë realisht procesin e paqes në Ukrainë dhe nëse Trump do të ndjekë linjën e përbashkët evropiane apo do të imponojë një qasje të vetën, që mund të ndryshojë balancën e gjithë diplomacisë perëndimore./ Politico
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje