Nga Gazeta Si- Autoritetet shëndetësore dhe ekspertët kanë sqaruar përmbajtjen dhe qëllimin e udhëzuesit klinik për trajtimin hormonal, duke theksuar se dokumenti synon të orientojë profesionistët e shëndetësisë drejt një kujdesi të standardizuar, etik dhe në përputhje me praktikat më të mira europiane.
Gjatë takimit të grupit të ekspertëve, zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, deklaroi se procesi i integrimit europian mbështetet në standarde të qarta për mbrojtjen nga diskriminimi, garantimin e të drejtave të njeriut dhe aksesin e barabartë në shërbimet shëndetësore. Sipas saj, këto standarde janë reflektuar në legjislacionin shqiptar dhe në planet kombëtare të veprimit, përfshirë ato që lidhen me mbrojtjen dhe përfshirjen e personave LGBTI.
Nga ana e saj, zv.ministrja Eugena Tomini sqaroi se udhëzuesi klinik i referohet ekskluzivisht personave të rritur dhe nuk parashikon rimbursim apo financim të barnave hormonale nga shteti. Ajo theksoi se dokumenti ka karakter orientues për profesionistët e shëndetësisë dhe synon garantimin e një kujdesi cilësor dhe të standardizuar.
Ndërkohë, shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT, Agron Ylli, bëri të ditur se gjatë periudhës maj-qershor 2026 nuk është paraqitur asnjë kërkesë për rekomandim apo trajtim hormonal në këtë shërbim.
Ndërkohë, në udhëzimin e publikuar në maj të këtij viti thuhet se trajtimi parashikohet si për të rriturit, ashtu edhe për adoleshentët nga mosha 16 vjeç, por vetëm pas vlerësimit të mjekëve specialistë dhe me pëlqimin e familjes. Në raste të veçanta, dhe vetëm pas një vlerësimi të detajuar, terapia mund të merret në konsideratë edhe për moshat mbi 14 vjeç.
Kjo solli dhe protesta në Tiranë nga grupe që kundërshtuan udhëzimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje