Ngjarje

Protesta në ditën e 12-të, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës para kryeministrisë

Gazeta Si – Për të 12-ën ditë me radhë, qytetarët e Tiranës kanë nisur protestën e tyre kundër qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, ku kërkojnë dorëheqjen e këtij të fundit.

Përveç largimit të kreut të qeverisë, protestuesit kërkojnë largimin e të gjithë klasës së vjetër politike, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha.

Protestuesit u mblodhën këtë të enjte në orën 18:00, në sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas nisën marshimin drejt kryeministrisë.

Me pankarta në duar dhe flamuj kuq e zi, ata kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe kundër projektit në Zvërnec.

Edi Rama dorëhiqu”, “Shqipëria e re”, “Shqipëria nuk është në shitje”, “Kur studentët ngrihen, shteti dridhet”, ishin disa nga pankartat e sjellë nga protestuesit.

Më 9 qershor, një grup protestuesish dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një draft me propozime për ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Një nga momentet simbolike të protestës u shënua para kryeministrisë, ku u vendosën pesë karrige bosh me mbishkrime si “Ikur në Greqi”, “Ikur në SHBA”, “Ikur në Kanada” dhe destinacione të tjera të emigracionit shqiptar.

Pas tubimit, ata pritet që të vazhdojnë marshimin e tyre të përhershëm në rrugët e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë