Nga Gazeta Si- Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, në një deklaratë për mediat ka folur mbi problematikat mjedisore në vend, duke u ndalur veçanërisht te zjarret në landfille, cilësia e ujërave dhe aeroporti i Vlorës.
Sa i përket zjarreve të shpeshta në landfille, ministri theksoi se ato janë një fenomen që lidhet me procese kimike natyrore si dhe me mungesën e mirëmbajtjes.
Sipas tij, zjarret shkaktohen nga gazi metan që çlirohet gjatë dekompozimit të mbetjeve. Ai nënvizoi se mungesa e sistemeve të duhura për nxjerrjen e këtij gazi, si dhe mirëmbajtja e dobët e landfilleve, janë faktorët kryesorë që çojnë në këto incidente.
Si shembull u përmend landfilli i Bushatit, ku nuk është financuar faza e tretë për nxjerrjen e gazit metan në atmosferë.
Ministri foli edhe për aeroportin e Vlorës, duke thënë se nuk ka asnjë vendim për pezullimin e punimeve ndërkohë që në mbledhjen e fundit të Konventës së Bernës është rënë dakord që të realizohet një studim i ndikimit në mjedis, i cili pritet të zhvillohet në vitin 2027.
Ai theksoi se projekti nuk ndodhet në një zonë të mbrojtur.
I pyetur për mbetjet e kompanisë Kurum, ministri u shpreh se çështja po ndiqet nga prokuroria e Durrës dhe se aktualisht nuk ka informacion mbi rezultatet e analizave.
Sa i përket cilësisë së ujërave, ministri pranoi se raportet tregojnë përkeqësim nga viti në vit në disa zona.
Ai veçoi se në jug të vendit cilësia e ujërave larëse është brenda standardeve, ndërsa problematikat më të mëdha lidhen me zonën e Liqeni i Pogradecit si dhe me plazhet e Durrësit dhe Golemit. Këto çështje, sipas tij, mbeten sfida të rëndësishme edhe në kuadër të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




vzj749