Politike

Balla: T’u heqim patentën ‘të fortëve’ të lagjes. Berisha: Janë patronazhistë të PS

Gazeta Si – Mazhoranca dhe opozita u përplasën pasditen e kësaj të hëne në Kuvend për ngjarjen tragjike, ku dy të mitur humbën jetën dhe një tjetër u plagos, pasi u goditën me makinë nga një 57-vjeçar në gjendje të dehur në Durrës.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, u përqendrua në masat që duhen marrë në vijim duke i bërë thirrje policisë që të ashpërsojë kontrollet për ata që i cilësoi “të fortët e lagjeve”.

Ai solli në vëmendje se në vende si SHBA, apo edhe Gjermania, ekziston në legjislacion koncepti i “vrasjes në kushtet e vetëbesimit të tepruar”, që mund të diskutohet edhe në Shqipëri.

“Duke e mbështetur nevojën për të reflektuar të gjithë, pa asnjë dallim, socialistë, demokratikë, të majtë, të djathtë. Shembulli që tha Braçe është kuptimplotë, nëse ne si Kuvend do mjaftohemi vetëm me heqjen e pikëve në patentë, kjo është e rëndë për ne. Gjykata e Lartë e SHBA-ve ka vendosur konceptin e vrasjes në kushtet e vetbësimit të tepëruar. Por z.Manja më shpjegoi edhe raste të tjera në Gjermani dhe vende të tjera. Kështu që mendoj kolegë përgjigjia jonë duhet të jetë e mënjëhershme sapo të kemi mundësi të ndryshojmë Kodin. Të fortët e lagjeve duhen bërë shembull të gjithë, duhen kontrolluar mëngjes, drekë, darkë dhe s’kanë pse të kenë fare patentë. Të fortët e lagjeve duhen bërë shembull nga Policia e Shtetit në komunitet”, tha Balla.

Por kryedemokrati Sali Berisha mori fjalën në foltore dhe duke iu referuar reagimit të Ballës për tragjedinë në Durrës tha se shoferi që shkaktoi aksidentin tragjik nuk arrestohej më parë nga policia pasi siguronte vota për PS.

“Të bësh teori se të fortit, kujt janë të fortit mor? Të fortit janë patronazhistë të poshtër që terrorizojnë qytetarët për pushtetin e krimit. Të fortit janë patronazhistë. Ai duhej arrestuar 10 herë, e nuk u arrestua asnjëherë se ishte terrorist i votave. Nuk ka të fortë që nuk i bën dot zap policia. Po ka të fortë që kanë bërë zap policinë”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë