Nga Gazeta ‘Si’- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kaluar muaj të tërë duke ecur në një fije të hollë në marrëdhëniet me presidentin amerikan Donald Trump. Tani duket se ai ka humbur ekuilibrin.
Merz ka bërë më shumë lëshime se shumica e liderëve europianë për të ruajtur marrëdhënie të mira me Trumpin, duke e parë këtë si një domosdoshmëri strategjike për të mbajtur lidhje të ngushta me një lider të njohur për mbajtjen e inateve.
Por, nën presionin në rritje në politikën e brendshme, kancelari ka ashpërsuar edhe kritikat ndaj Trumpit dhe ndaj luftës në Iran.
Me disa komente të drejtpërdrejta për luftën gjatë një vizite në një shkollë të mesme këtë javë, Merz duket se e humbi këtë ekuilibër të brishtë-madje duke irrituar seriozisht Trumpin.
Pasi Merz u tha nxënësve se SHBA po “poshtërohej” nga regjimi iranian, Trump reagoi duke e sulmuar kancelarin në rrjetin Truth Social dhe duke kërcënuar me një skenar të frikshëm për Berlinin: tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania.
Merz u përpoq ta minimizonte përplasjen dhe të vazhdonte sikur asgjë nuk kishte ndodhur, duke këmbëngulur në një bazë ushtarake gjermane se marrëdhëniet me SHBA mbeten të forta.
“Ne po punojmë këtu dhe në vende të tjera strategjike në Gjermani krah për krah me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë në NATO,” tha ai, duke shtuar se Gjermania po forcon ushtrinë “për përfitim të përbashkët dhe për të thelluar lidhjen transatlantike”.

Merz duket se kishte llogaritur se situata do të kalonte, duke u mbështetur në atë që në Wall Street quhet parimi “TACO” (“Trump Always Chickens Out” – Trump gjithmonë tërhiqet në fund).
Megjithatë, Trump vazhdoi sulmet.
Ai kritikoi ashpër kancelarin, duke thënë se duhet të fokusohet më shumë te lufta Rusi-Ukrainë dhe problemet e brendshme të Gjermanisë, si emigracioni dhe energjia, në vend që të ndërhyjë në çështjen iraniane.
Kjo përbën një kthesë të fortë nga raporti i mëparshëm mes tyre. Trump e kishte lavdëruar më herët qeverinë e Merz për politikat e saj dhe gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë e kishte quajtur atë “mik” që po bën “një punë shumë të mirë”.
Strategjia e Merz ka qenë të shmangë përplasjet publike me Trumpin pavarësisht mosmarrëveshjeve të thella për Ukrainën dhe tregtinë-për të ruajtur marrëdhënie të mira dhe për të pasur ndikim në mënyrë të tërthortë.
Kjo qasje pasqyron edhe strategjinë më të gjerë të Gjermanisë: ndërsa përpiqet të ulë varësinë ushtarake dhe ekonomike nga SHBA, ajo e di se do të mbetet e varur nga fuqia amerikane për vite me radhë, sidomos për mbrojtjen bërthamore dhe inteligjencën.
Megjithatë, herë pas here, për shkak të frustrimit apo presionit të brendshëm politik, Merz reagon më ashpër.
Këtë herë, duke sugjeruar se SHBA ishte “poshtëruar” nga Irani, ai mund të ketë shkuar shumë larg duke rrezikuar një përplasje serioze me një president të njohur për hakmarrje politike.
Pavarësisht toneve të ashpra, shumë politikanë gjermanë mbeten relativisht të qetë, duke theksuar se SHBA ka nevojë për praninë ushtarake në Gjermani për operacionet e saj globale.
Bashkëpunimi ushtarak, sipas tyre, mbetet i fortë dhe i integruar, dhe një tërheqje e shpejtë është e pamundur.
Në këtë situatë, rreziku më i madh për Merz mund të mos jetë tërheqja e trupave, por humbja e ndikimit te Trump sidomos në çështje kyçe si mbështetja për Ukrainën.
Ndërkohë, Merz duket i vendosur të rregullojë marrëdhënien. Siç u shpreh ai vetë: “Marrëdhënia personale mes meje dhe presidentit amerikan mbetet, sipas meje, po aq e mirë sa më parë.”
Burimi: Politico/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje