Kosova

Raporti ndërkombëtar/ Në Hagë po shkelen të drejtat për ish-krerët e UÇK

Nga Gazeta ‘Si’- Një raport i organizatës ndërkombëtare “Bar Human Rights Committee of England and Wales” ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë në pikëpyetje standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve.

Dokumenti është i përqendruar ekskluzivisht në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe konsiderohet ndër analizat më kritike të deritanishme për këtë gjykatë.

Sipas raportit, ekziston rrezik real që disa procese të mos jenë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare për gjykim të drejtë.

Në këtë raport evidentohen parregullsi të shumta në procedurë dhe ngrihet alarm serioz për shkeljen e të drejtave të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe të akuzuarve të tjerë.

“Nëse këto probleme nuk adresohen, rrezikohet jo vetëm drejtësia për të akuzuarit, por edhe besimi publik dhe stabiliteti në rajon”, thuhet në raport.

Paraburgimi i gjatë dhe mungesa reale e lirimit evidentohen si probleme kyçe.

Ligjërisht sistemi në Dhomat e Specializuara duket korrekt, por në praktikë lirimi i përkohshëm është shumë i kufizuar. Sipas raportit, kjo krijon rrezik për shkelje të së drejtës për liri. Po ashtu, sipas raportit, struktura e gjykatës e bën lirimin pothuajse të pamundur.

Dokumenti ngre pikëpyetje për strukturën e cila përbëhet vetëm nga gjyqtarë ndërkombëtarë, pa përfshirje të ekspertizës vendore, si dhe për paqartësi në aplikimin e ligjit dhe mungesë transparence në disa procese dhe vendimmarrje.

Raporti thekson se, ndonëse kuadri ligjor i Gjykatës Speciale duket korrekt në letër, në praktikë ekzistojnë kufizime që mund të cenojnë të drejtën për liri dhe barazinë mes palëve.

Një ndër gjetjet kryesore lidhet me parimin e “barazisë së armëve”, ku mbrojtja mund të jetë në disavantazh përballë prokurorisë.

Një tjetër shqetësim serioz lidhet me provat dhe transparencën. Sipas raportit, ekziston rreziku i përdorimit të provave me vlerë të dobët ose të paverifikuara, përfshirë materiale nga Serbia, ndërsa mungon qartësia për burimin e disa prej tyre. Kjo, sipas autorëve të raportit, mund të ndikojë drejtpërdrejt në legjitimitetin e vendimeve gjyqësore.

Raporti rekomandon krijimin e një mekanizmi të pavarur dhe të vazhdueshëm monitorimi për të garantuar respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe rritjen e besueshmërisë së procesit gjyqësor në Hagë


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë