Analize

Edhe nëse Trump vuan nga demenca, veprimet e tij nuk justifikohen

Nga Gazeta ‘Si’- Në javët e fundit, janë shtuar spekulimet mbi sjelljen e paqëndrueshme të presidentit amerikan Donald Trump gjatë konfliktit SHBA–Izrael me Iranin.

Duke vënë në dyshim gjendjen e tij mendore për të ushtruar detyrën, komentues të ndryshëm kanë sugjeruar se ai mund të vuajë nga narcizëm malinj, Alzhaimeri apo edhe nga demenca frontotemporale, duke aluduar për një rënie të përshpejtuar njohëse dhe një “krizë të thellë psikologjike”.

Veçanërisht pretendimi për demencën frontotemporale ka marrë më shumë vëmendje.

Kjo formë e demencës mund të ndikojë në gjykim, empati, gjuhë dhe kontrollin e impulseve.

Kritikët e Trump-it argumentojnë se kjo mund të shpjegojë kërcënimet e tij në rritje, gjuhën e ashpër dhe prirjen për të folur pa strukturë.

Por a është vërtet kjo diagnoza e duhur?

Diagnostikimi i një personi nga distanca nuk është vetëm i papërgjegjshëm – është i pamundur. Madje, kjo qasje mund t’i japë një “justifikim” për sjellje të qëllimshme fyese, ndërkohë që rrit stigmatizimin ndaj personave që jetojnë me demencë.

Çfarë është demenca frontotemporale?

Demenca frontotemporale përfshin një grup çrregullimesh neurodegjenerative që prekin kryesisht lobet frontal dhe temporal të trurit – zona që lidhen me sjelljen, personalitetin, gjuhën dhe vendimmarrjen.

Ndryshe nga Alzheimeri, kjo formë rrallë nis me humbje kujtese. Simptomat e para lidhen më shumë me ndryshime në sjellje, kontroll emocional dhe aftësi komunikimi.

Forma më e zakonshme është varianti i sjelljes, që shfaqet me një përkeqësim gradual në mënyrën si një person ndërvepron me të tjerët dhe shpreh personalitetin e tij.

Kjo sëmundje është relativisht e rrallë: çdo vit diagnostikohen rreth 2–3 raste për 100 mijë banorë në botë.

Si vendoset diagnoza?

Diagnostikimi është kompleks dhe nuk mund të bazohet vetëm në vëzhgime.

Një ekip mjekësh analizon historinë personale dhe mjekësore të pacientit, përfshirë informacione nga familjarët, teste neurologjike dhe vlerësime njohëse. Gjithashtu përdoren skanime të trurit për të identifikuar ndryshime strukturore.

Për një diagnozë të mundshme, duhet të jenë të pranishme të paktën tre nga këto shenja:

•             mungesë frenimi në sjellje

•             apati

•             humbje empatie

•             sjellje kompulsive

•             prirje e shtuar për të eksploruar objekte me gojë

•             rënie e aftësive për planifikim dhe vendimmarrje

Këto simptoma duhet të përkeqësohen me kalimin e kohës. Ndërsa një diagnozë e sigurt mund të konfirmohet vetëm përmes analizave gjenetike ose ekzaminimit të trurit pas vdekjes.

Pse nuk duhet të bëhen diagnoza nga larg?

Demenca frontotemporale është një nga sëmundjet më të vështira për t’u diagnostikuar dhe simptomat e saj shpesh ngatërrohen me çrregullime të tjera psikiatrike.

Por ka edhe rreziqe të tjera në lidhjen e sjelljeve kontroverse me këtë sëmundje.

Së pari, një interpretim i tillë mund të zbehë përgjegjësinë për veprime të qëllimshme. Kjo sëmundje ndikon në kontrollin e impulseve, por nuk shpjegon ekstremizmin politik apo bindjet ideologjike të formuara prej kohësh.

Së dyti, kjo rrit stigmatizimin ndaj personave me demencë, duke i portretizuar ata si të rrezikshëm ose të paqëndrueshëm – një perceptim që dëmton trajtimin dhe mbështetjen ndaj tyre.

Kufijtë etikë

Është e natyrshme që njerëzit të përpiqen të shpjegojnë sjellje shqetësuese, sidomos tek liderët politikë. Por ekziston një dallim i qartë mes raportimit të bazuar në fakte dhe diagnozave spekulative.

Komuniteti mjekësor e njeh këtë kufi prej kohësh: diagnozat pa ekzaminim cenojnë besimin në mjekësi dhe në media.

Spekulimet për demencën mund të duken si një mënyrë për të kuptuar sjellje të vështira, por në realitet ato zëvendësojnë analizën shkencore me hamendësime – duke dëmtuar më shumë sesa ndihmuar, sidomos për ata që jetojnë realisht me këtë sëmundje./ The Conversation


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë