Analize

Trumpi po përballet me disa kriza në shumë fronte njëherësh

Presidenti është në një seri humbjesh, dhe madje disa nga ndihmësit e tij janë të zhgënjyer nga zgjedhjet e tij.

Nga Gazeta ‘Si’– Mesiguri keni dëgjuar: Shtëpia e Bardhë do të fillojë të flasë për dosjet Epstein për të shpërqendruar vëmendjen nga mënyra se si po shkon keq lufta me Iranin.

Por ky version i kundërt i “Wag the dog” (manipulimi i opinionit publik përmes krizave të krijuara ose të amplifikuara) mbështetet në një të vërtetë të çuditshme: Zonja e Parë, Melania Trump, e solli vetë çështjen e financierit të diskredituar Jeffrey Epstein javën e kaluar, në mënyrë të papritur, në një përpjekje për t’u distancuar nga skandali -por kjo lëvizje, në mënyrë të parashikueshme, vetëm sa e riktheu edhe më fort në vëmendjen publike.

Ndërkohë, ndërsa negociatat me Iranin po ecin me vështirësi, Ngushtica e Hormuzit mbetet nën kontrollin e Teheranit dhe Presidenti Trump ka autorizuar një bllokadë detare të rrezikshme, e cila pritet të rrisë më tej çmimet globale të energjisë.

Në të njëjtën kohë, sondazhet e Trump po bien, republikanët shqetësohen se mund të humbasin të dy dhomat e Kongresit në zgjedhjet e ardhshme, dhe presidenti ka shpenzuar kapital të madh politik duke mbështetur aleatin e tij iliberal Viktor Orbán në Hungari, i cili tashmë ka pësuar humbje politike. 

Po ashtu, Trump ka tensionuar marrëdhëniet me dy nga fetë më të mëdha në botë brenda një jave.

Trump ka qeverisur prej kohësh përmes frikës, duke kërkuar besnikëri të plotë dhe duke ushtruar presion mbi liderë të huaj. 

Por këtë herë, ai duket i bllokuar pa një rrugëdalje të qartë. Lufta me Iranin, që ai vetë e nisi, nuk po shkon siç kishte parashikuar.

Ai mendonte se do të ishte një operacion i shpejtë ushtarak, por konflikti tashmë po zgjat. Irani, megjithëse i goditur, është bërë më i vendosur dhe tani ka më shumë kontroll mbi një pikë kyçe ku kalon rreth 20% e naftës botërore, duke e përdorur atë si levë ekonomike ndaj botës.

SHBA ka shkatërruar pjesë të mëdha të mbrojtjes iraniane dhe ka goditur kapacitetet e saj raketore, por Irani nuk është dorëzuar. Ai ka ruajtur aftësinë për të kërcënuar rrugët detare në Gjirin Persik, duke rritur pasigurinë globale dhe çmimet e naftës.

Në këtë pikë, Trump përballet me kufijtë e fuqisë së tij. 

Ai ka kërkuar që kompanitë e transportit të “tregojnë guxim” dhe të kalojnë ngushticën, por ato kanë refuzuar për arsye sigurie. Edhe aleatët europianë nuk kanë pranuar të ndërhyjnë, duke shmangur përfshirjen në një konflikt që nuk e kanë mbështetur që në fillim.

Brenda SHBA-së, edhe disa republikanë po shprehin rezerva, sidomos për mundësinë e një ndërhyrjeje tokësore. Ndërkohë, opinion publik mbetet kryesisht kundër luftës, ndërsa çmimet e karburantit po rriten.

Në këtë situatë, Trump ka reaguar me retorikë gjithnjë e më të ashpër, duke kërcënuar Iranin dhe duke kërkuar hapjen e ngushticës. Por këto kërcënime nuk kanë sjellë efektin e pritur dhe përkundrazi kanë rritur perceptimin e një konflikti që po del jashtë kontrollit.

Në politikën e brendshme, republikanët po përballen me rënie të mbështetjes dhe zgjedhje të vështira. 

Ekonomia, që pritej të ishte pika e fortë e administratës, është zëvendësuar nga kriza ndërkombëtare dhe rritja e çmimeve.

Ndërkohë, rikthimi i çështjes Epstein në debat, i nxitur edhe nga deklaratat e Melania Trump, ka hapur një tjetër front politik që nuk po shuhet.

Në Hungari, humbja e Viktor Orbán ka dobësuar më tej aleatët e Trump në Europë, pavarësisht mbështetjes së fortë politike dhe diplomatike që i ishte dhënë.

Edhe marrëdhënia e Trump me Vatikanin është tensionuar, pas kritikave të Papa Leo XIV ndaj politikave të tij të emigracionit dhe qëndrimeve të tij për luftën. 

Reagimet e presidentit ndaj Papës kanë shkaktuar debat të gjerë, përfshirë edhe brenda vetë Partisë Republikane.

Në përgjithësi, Trump po përballet me një kombinim krizash ndërkombëtare dhe të brendshme që po testojnë kufijtë e strategjisë së tij politike, ndërsa efektet e luftës në Iran dhe rritja e çmimeve të energjisë pritet të vazhdojnë për muaj të tërë.

Marrë nga The Atlantic/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë