Ngjarje

Nga e mërkura reduktohet me 40% flota e autobusëve! Shoqatat: Qeveria s’na subvencionoi

Nga Gazeta Si- Nga e mërkura do ketë 40% më pak urbanë në lëvizje. Lajmin e ka bërë të ditur Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban si pasojë e rritjes së çmimit të naftës dhe mosmarrjen e masave nga qeveria për subvencionim.

Në njoftim, Shoqata shkruan se pavarësisht problematikës së ngritur prej javësh dhe takimit të zhvilluar më datë 1 prill me institucionet përgjegjëse, deri në këtë moment nuk është marrë asnjë masë konkrete mbështetëse për sektorin e transportit publik.

Kështu operatorët konstatojnë se nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, pavarësisht kërkesës së përsëritur të tyre, nuk ka një vendim zyrtar apo plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare të sektorit, nuk është dhënë asnjë afat konkret për ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse si dhe nuk ka nisur asnjë proces për rishikimin e elementeve fiskale që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot operative (akcizë, taksë qarkullimi, TVSH).

“Kjo mungesë reagimi dhe veprimi konkret ka përkeqësuar ndjeshëm situatën financiare të operatorëve, të cilët ndodhen tashmë në kushte tejet të vështira për të përballuar vazhdimin e aktivitetit”, thuhet në njoftim.

Për pasojë duke filluar nga nesër do të reduktohet numrin i mjeteve në qarkullim duke e ulur me 40% flotën në shërbimin e transportit publik.

Operatorët u bëjnë thirrje qytetarëve të parashikojnë kohën e udhëtimit.

Në një takim mes përfaqësuesve të Shoqatës së Transportit me ministren e Ekonomisë Delina Ibrahimaj në fillim të prillit është diskutuar subvencionimi i naftës me 100 lekë/litër në mënyrë që të mos ketë reduktim të flotës së autobusëve në Tiranë.

Enea Karakaçi, ministër i infrastrukturës tha për mediat se është menduar rikthimi i VKM-së së vitit 2022 që parashikon kompensim me 100 lekë/litër karburant për linjat urbane dhe ndërurbane por ende nuk është vendosur diçka e tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë