Ngjarje

Kryepeshkopi Joan uron besimtarët ortodoksë për Pashkët: Ta gjejmë paqen në zemrat tona

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joani ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë për Pashkët.

Me anë të një mesazh, kryepeshkopi u shpreh se sot bota është e trazuar nga luftërat e përgjakshme, por ne duhet të gjejmë paqe në zemrat tona dhe ta shpërndajmë atë kudo.

Kryepeshkopi Joan shtoi se ne duhet të bëhemi paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja dhe lakmia.

“Falja e shkatërron të keqen, ndërsa hakmarrja e shumëfishon atë”, thekson kryepeshkopi Joan në mesazhin e tij.

Fortlumturi Joani thotë se luftërat e përgjakshme po shkaktojnë vdekje dhe vuajtje, ndërsa duke iu referuar fjalëve të para të Krishtit pas Ngjalljes, ai thekson se mesazhi i Tij ishte i qartë: “Sot bota është e trazuar. Luftëra të përgjakshme vazhdojnë të shkaktojnë vdekje dhe vuajtje. Frika e së nesërmes mbulon popuj të tërë. Pasiguria troket kudo. Në mes të kësaj stuhie, Krishti i Ngjallur përsërit: “Paqe në ju”.

Ai ndalet edhe te sfidat e kohës moderne, duke theksuar se ndjekja e pasurisë dhe statusit nuk sjell qetësi shpirtërore.

“Jetojmë në një epokë ku njeriu ndjek pa pushim të mirat materiale, sigurinë, statusin shoqëror, dhe megjithatë ndihet më i zbrazur, më i vetmuar, i paplotësuar, më i shqetësuar se kurrë”, shprehet Kryepeshkopi Joan.

Në vijim të mesazhit të tij, Fortlumturi Joani thekson se shpresa dhe siguria e vërtetë burojnë nga Ngjallja e Krishtit.

“Në këtë botë të trazuar na mjafton vetëm një siguri: Krishti u ngjall dhe jeton. Dhe nëse jeton Krishti, jetojmë edhe ne. Dhe nëse jetojmë në Krishtin, atëherë as vdekja, as ligësia, as varfëria, as përndjekja nuk mund të na ndajë nga dashuria dhe nga paqja e Tij.”

Kryepeshkopi e mbyll mesazhin e tij me një thirrje për të gjithë besimtarët ortodoksë, por jo vetëm: “Le të bëhemi ne vetë paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja, nga lakmia dhe egoizmi. Por, që të bëhemi paqebërës, fillimisht duhet të kemi paqe brenda nesh.”

Mbrëmjen e sotme në 23:00, në të gjitha kishat ortodokse në vend zhvillohet shërbesa e Ngjalljes që zgjat deri pas mesnate.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë