Teknologji dhe Inovacion

50 vite inovacion: Historia e ngritjeve dhe gabimeve të Apple

Nga Gazeta ‘Si’- Pak kompani kanë arritur të përcaktojnë mënyrën se si njerëzit përdorin teknologjinë në jetën e përditshme aq fuqishëm sa Apple.

Kompania, e cila këtë javë festoi 50-vjetorin, u themelua nga dy Steve në një garazh në San Francisco dhe gjatë rrugëtimit të saj ka pasur suksese të jashtëzakonshme, por edhe dështime të dukshme.

Sot, gati një në tre njerëz në botë zotëron një produkt Apple- një arritje që, sipas Emma Wall nga Hargreaves Lansdown, lidhet po aq me marketingun sa edhe me teknologjinë.

“Ata shitën një ëndërr,” thotë ajo, duke theksuar se Apple solli një ide të re për kohën: që brandi është po aq i rëndësishëm sa vetë produkti.

Sukseset e njëpasnjëshme të kompanisë duket se janë ngadalësuar pas vdekjes së bashkëthemeluesit vizionar Steve Jobs, ndërsa kompania është fokusuar më shumë në përmirësimin e teknologjive ekzistuese.

Megjithatë, drejtori aktual Tim Cook vlerësohet për mënyrën se si ka përshtatur kompaninë me kohën dhe ka ruajtur fitimprurjen, edhe pse shumë fansa besnikë vazhdojnë ta krahasojnë këtë periudhë me epokën e Jobs.

Ndër produktet më ikonike të Apple është iPod, i lançuar në 2001, i cili revolucionarizoi mënyrën si dëgjohej muzika.

Edhe pse nuk ishte pajisja e parë e këtij lloji, ai ndryshoi gjithçka falë dizajnit të tij dhe integrimit me iTunes, duke e bërë shkarkimin legal të muzikës digjitale një fenomen masiv.

Suksesi i tij i dha Apple bazën financiare dhe përvojën për të hyrë në tregun e smartfonëve.

Në vitin 2007, iPhone ndryshoi përfundimisht industrinë.

Edhe pse nuk ishte telefoni i parë me ekran me prekje apo internet, kombinimi i dizajnit, funksioneve dhe marketingut e bëri atë një revolucion.

Sot shiten mbi 200 milionë iPhone çdo vit, dhe përdoruesit rrallë largohen nga ekosistemi i Apple.

Një tjetër sukses i madh është Apple Watch, i lançuar në 2015, e cila u bë ora inteligjente më e shitur në botë dhe një lider në teknologjinë e shëndetit, falë funksioneve si monitorimi i zemrës dhe detektimi i rënieve.

Megjithatë, rruga e Apple nuk ka qenë pa gabime.

Apple Lisa, një kompjuter i vitit 1983, ishte shumë përpara kohës së tij me ndërfaqe grafike dhe mouse, por çmimi i lartë e bëri një dështim tregtar.

Një tjetër gabim ishte tastiera “butterfly” në laptopët si MacBook Air, e kritikuar për mungesë qëndrueshmërie dhe për faktin që privilegjonte hollësinë mbi funksionalitetin.

Në vitet e fundit, edhe Apple Vision Pro nuk arriti të përmbushë pritshmëritë. Pajisja, që ishte një bast i madh në realitetin e përzier, u konsiderua e rëndë dhe me pak përmbajtje, duke çuar në kërkesë të ulët dhe reduktim të prodhimit.

Ndërsa Apple hyn në gjysmëshekullin e dytë, mbetet një nga kompanitë më me ndikim në botë. Ajo ka ndryshuar mënyrën si dëgjojmë muzikë, komunikojmë dhe kujdesemi për shëndetin, edhe pse sfida për të rikrijuar revolucionet e së kaluarës mbetet ende e hapur.// BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë