Politike

Miratohet akti normativ për uljen 20% të akcizës, Malaj: Zbatohet nëse çmimi i naftës kalon 220 lekë

Nga Gazeta ‘Si’– Qeveria shqiptare ka miratuar aktin normativ për uljen e akcizës, si masë për të amortizuar efektet e rritjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, të shkaktuara nga konflikti në Iran. 

Vendimi vjen në vijim të premtimit të Kryeministrit Edi Rama për ndërmarrjen e masave konkrete dhe të prekshme në mbrojtje të qytetarëve.

Ky akt normativ parashikon uljen e akcizës me 20%, në rast se çmimi i shitjes me pakicë, i përcaktuar nga Bordi i Transparencës, do të jetë: mbi 220 lekë për litër për naftën; mbi 200 lekë për litër për benzinën.

Akti do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare. 

Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se qeveria është e angazhuar të mbrojë qytetarët nga efektet financiare të krizës, duke ruajtur njëkohësisht buxhetin e shtetit dhe ekonominë e vendit në këtë moment kritik.

“Ne jemi të angazhuar plotësisht që t’i përgjigjemi me përgjegjshmëri çdo sfide, duke mbrojtur qytetarët shqiptarë nga efektet financiare të prodhuara si rezultat i këtij konflikti, por edhe të mbrojmë buxhetin e shtetit dhe ekonominë e vendit tonë, sidomos në një moment kritik si ky që po përballet bota sot”, tha ministri Malaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë