Nga Gazeta Si- Edhe pse ish-ministrja e brendshme Albana Koçiu tha në nëntor se po punohet me intensitet për rregullimet e nevojshme ligjore për rikthimin e sigurt të monopatinave, ministri i tanishëm Besfort Lamallari tha sot se është ngurrues ndaj çdo nisme ligjore që është paraqitur dhe ende nuk ka një plan të konsoliduar.
“Jam ngurrues të shkoj më tej me nisma ligjore deri në momentin që do kem diçka të konsoliduar, të mirëmenduar dhe jo për qëllime populiste apo tregtare”, tha Lamallari, ndërsa si arsye përdori shifrat e aksidenteve.
“Për 3 vite janë bërë mbi 2500 aksidente ndërkohë që pas bllokimit të monopatinave, ka pasur 6 aksidente”, tha ai.
Ndërkohë ministri tha edhe se monopatinat e sekuestruara nga shteti, do t’u rikthehen vetëm atyre që do të paraqesin certifikatë pronësie.
“Ata që nuk kanë dokumentacionin e pronësisë nuk mund t’i marrin monopatinat e sekuestruara. Ndërkohë persona që kanë pasur dokumentet i kanë marrë dhe të tjerë mund ti marrin nëse kanë dokumentet”, tha Lamallari.
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri i kërkoi llogari të enjten ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari lidhur me udhëzimin për ndalimin e monopatinave, çështja e cila ka shkuar edhe në Gjykatë Kushtetuese.
Ndërsa pyeti se përse nuk po bëhet gati ligji për monopatinat pas gjashtë muajsh nga ndalimi i tyre, Kapri akuzoi qeverinë se ajo po hesht pasi sipas tij po përgatit një tjetër projekt për oligarkun e radhës që do të kapë këtë treg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje