Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri i kërkoi llogari ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari lidhur me udhëzimin për ndalimin e monopatinave, çështja e cila ka shkuar edhe në Gjykatë Kushtetuese.
Ndërsa pyeti se përse nuk po bëhet gati ligji për monopatinat pas gjashtë muajsh nga ndalimi i tyre, Kapri akuzoi qeverinë se ajo po hesht pasi sipas tij po përgatit një tjetër projekt për oligarkun e radhës që do të kapë këtë treg.
Ai akuzoi Lamallarin se po ulin kokën para ‘të fortëve me makina të shtrenjta’ dhe ndërkohë përndjekin adoleshentët dhe të rinjtë që i shohin me monopatina si të ishin kriminelë.
“U bënë 6 muaj që ministria ka marrë vendim antikushtetues që tregon se çfarë përfaqëson qeverisja juaj.
Keni vendosur që të gjithë shqiptarët që qarkullojnë me mjete elektrike, duhet të ndalohen dhe të bllokohen të gjitha. Kjo tregon modelin tuaj ndaj të rinjve që janë model, që shkojnë në punë me mjete elektrike, që i kanë blerë me kredi. Një mjet elektrik do të thotë një makinë me pak.
Ju vetëm ua vështirësoni jetën, keni humbur çdo lidhje me realitetin, në vend t’i inkurajoni i trajtoni si kriminelë. I gjëmoni adoleshentët sikur janë spaçatorë kokaine. Me të fortët jeni kokulur ministër. Kalojnë me dhjetëra makina luksoze të të rinjve që s’justifikojnë burimin, më thoni sa prej tyre i keni thirrur në komisariat dhe i keni kërkuar llogari për burimin e të ardhurave.
Heshtni sepse mesa duket po përgatitet tjetër projekt për oligarkun se si ta kapë këtë model në rritje”, tha Kapri.
Lamallari zgjodhi të përgjigjet me shifra dhe tha se ky vendim sipas tij ishte i drejtë dhe kishte vetëm një mision, mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Sipas tij, monopatinat ishin kthyer në burim aksidentesh.
Lamallari bëri publike shifrat minimale të aksidenteve prej tetorit që u ndaluan dhe mbrojti vendimin e marrë nga paraardhësja Albana Koçiu.

“Në 2023-shin janë evidentuar 587 raste aksidentesh nga monopatinat, në 2024 plot 991 raste aksidentesh duke përfshirë edhe humbje jete.
Ka shkuar 887 në 2025-ën. Ka pasur trend shqetësues në rritje, nga viti në vit, duke rrezikuar jo vetëm jetën e përdoruesve, por situata ndryshoi pas këtij vendimi, ku u ndalua përdorimi i monopatinave. Nga ndalimi deri më sot janë konstatuar vetëm 6 raste, kemi një ulje në minimum.
E rëndësishme është të hedhim sytë nga BE, ata e kanë trajtuar duke patur parasysh jo përfitimet politike, por mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve të tyre. Më i famshëm është Parisi që ndaloi përdorimin e monopatinave, nuk është masë antiligjore, por rregull dhe shmangia e kaosit në rrugë”, tha Lamallari.
Ndërkohë Kapri iu kundërpërgjigj se në Kushtetuese do të dështojnë me turp.
Gjashtë muaj pas ndalimit ende nuk ka një udhëzim për përdorimin e monopatinave.
Ato do të rikthehen në qarkullim vetëm pasi të përcaktohen rregullat e qarta, se si do të lëviznin në rrugë, mosha e drejtuesit apo regjistrimi që këto mjete do duhet të kenë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje