Nga Gazeta ‘Si’– Pas rrëzimit të kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, kryeministri Edi Rama iu përgjigj deklaratave të Ambasadës së Britanisë së Madhe dhe Ambasadës Gjermane.
Me anë të një postimi në X, Rama deklaroi se vendimi që mori sot Kuvendi ishte sipas tij i drejtë, ndërsa theksoi se Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion.
Sipas tij mazhoranca bëri pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës.
Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%.
— Edi Rama (@ediramaal) March 12, 2026
Por duke qenë se që të dyja dolën sot, kur Kuvendi me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë…
Ai theksoi se ‘hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor’.
“Shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë”, shkruan Rama.
Edhe pse i përshëndeti deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, duke theksuar se “me parimet e shprehura jemi të gjithë shumë dakord, 100%”, Rama tha se Kuvendi mori një vendim të drejtë duke refuzuar heqjen e lirisë së një deputeti.
“Sot ne i kemi respektuar plotësisht ato norma dhe kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë“, shkruan kreu i qeverisë.
Rama shkruan se fokusi kryesor i Partisë Socialiste është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ndërkohë, pak më herët, Ambasada gjermane, përmes një postimi në faqen zyrtare, tha se “kusht i domosdoshëm për të bërë progres në procesin e anëtarësimit në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje