Gazeta Si – Një ditë pas raportit të SPAK për vitin 2025, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Klodian Braho thotë se do të hetohen dhe ndiqen penalisht të gjithë zyrtarët që kanë abuzuar me detyrën.
Kreu i SPAK, thekson se Prokuroria e Posaçme ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa vijojnë hetimet dhe ndjekjet penale për të gjithë zyrtarët që kanë abuzuar me detyrën.
“Të dhënat e Raportit të Vitit 2025 tregojnë se SPAK ka shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për këtë vlerësoj punën e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Megjithatë, këto janë sfida që kërkojnë përpjekje të vazhdueshme. Ne po punojmë intensivisht për hetimin dhe ndjekjen penale të të gjithë atyre zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën”, – tha Braho.
Sipas kreut të SPAK, “një rol kryesor në arritjet e SPAK, ka luajtur edhe forcimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për hetimin e çdo personi që ka kryer vepër penale, duke treguar se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë janë të barabartë para tij”.
Sipas raportit, grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të krimit, duke u përfshirë kryesisht në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe aktivitete të tjera të paligjshme që shtrihen përtej kufijve të vendit.
Gjatë vitit 2025, sipas raportit, shuma e përgjithshme e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara arrin rreth 45.4 milionë euro.
Nga kjo shumë, pjesa më e madhe i përket pasurive të sekuestruara, të cilat kapin vlerën rreth 43.49 milionë euro, që përbëjnë afërsisht 96% të totalit.
Ndërsa pasuritë e konfiskuara kanë një vlerë prej rreth 1.91 milionë euro, ose rreth 4% të shumës së përgjithshme.
Mes problematikave të pasqyruara nga SPAK, në raport vërehej si shqetësuese retorika dhe ndërhyrja e politikës në hetimet për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar, si dhe nismat e qeverisë me karakter ligjor, që do të mund t’ië kufizonin pavarësinë e institucionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje