Gazeta Si – Në një dokument prej 102 faqesh, raporti i SPAK për vitin 2025, pasqyron në gjerësi luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, çështjet të dërguara në total në gjykatë si dhe sa persona janë hetuar përgjatë vitit të shkuar.
Përveç sfidave dhe problematikave kryesore, Prokuroria e Posaçme, i kushton vëmendje të veçantë edhe trafikut të drogës e pastrimit të parave brenda dhe jashtë vendit.
Në raport thuhet se “gjatë vitit 2025, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara është rreth 45.4 milionë euro, prej të cilave rreth 43.49 milionë euro, është vlera e aseteve të sekuestruara (rreth 96% e totalit) dhe rreth 1.91 milionë euro përfaqësojnë vlerën e aseteve të konfiskuara (rreth 4% e totalit). Në vlerën e aseteve të sekuestruara përfshihet dhe sekuestrimi i kriptovalutave të llojit TETHER, USDT, me vlerë ekuivalente prej 14.5 milionë dollarë ose rreth 12.4 milionë euro (vendimi nr.583, date 04.09.2025).
Vlera e pasurive të sekuestruara për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar është rreth 42.4 milionë euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara për këtë kategori veprash penale është rreth 1.8 milionë euro. Sa i përket çështjeve që lidhen me zyrtarët e lartë, vlera e pasurive të sekuestruara është rreth 1.1 milion euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara është rreth 100,000 euro”.
Dokumenti thekson se trafiku i narkotikëve, sidomos i kokainës dhe kanabisit drejt vendeve të Bashkimit Europian, mbetet aktiviteti më fitimprurës për grupet kriminale. Një pjesë e konflikteve të dhunshme dhe vrasjeve në vend lidhen pikërisht me përplasjet mes këtyre grupeve për kontrollin e tregut të drogës. Po ashtu, raporti nënvizon se Shqipëria vazhdon të konsiderohet një burim i rëndësishëm i armëve ilegale që qarkullojnë në rajon dhe në Europë.
Një tjetër shqetësim i evidentuar nga SPAK është pastrimi i parave, i cili sipas raportit kryhet kryesisht përmes investimeve në sektorin e ndërtimit, pasurive të paluajtshme dhe bizneseve të ndryshme. Kjo praktikë, sipas institucionit, deformon konkurrencën në ekonomi dhe ndikon negativisht në treg,
Raporti ndalet gjithashtu te korrupsioni në administratën publike dhe në pushtetin vendor, duke theksuar se një pjesë e hetimeve kanë përfshirë zyrtarë të lartë, drejtues institucionesh dhe përfaqësues të qeverisjes vendore, kryesisht për çështje që lidhen me tenderat publikë, përdorimin e fondeve dhe dhënien e lejeve të ndërtimit.
Sipas raportit vjetor, Prokuroria e Posaçme ka shënuar rritje të volumit të hetimeve penale.
Gjatë vitit 2025, janë “hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë procedimet të reja, të regjistruara gjatë vitit 2025 dhe 39 prej të cilave janë bashkuar, ndërsa 577 janë të mbartura nga viti 2024.
Krahasuar me vitin 2024, kjo përfaqëson një rritje prej 4.9% të volumit të hetimeve penale (nga 793 në 832).
Po ashtu, raporti mes procedimeve penale të reja dhe çështjeve/hetimeve të përfunduara u rrit me rreth 6.67% gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024”.
Sa i përket volumit të punës në mbylljen e hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka vijuar të tregojë qëndrueshmëri me 216 çështje/hetime të përfunduara në vitin 2025, duke ruajtur të njëjtin nivel me vitin 2024.
Edhe pse numri i çështjeve të dërguara në gjykatë ka rënë me 19.5%, numri i personave të përfshirë në këto çështje është rritur me 13.5%, çka tregon se, hetimet janë fokusuar tek çështje më komplekse, që përfshijnë më shumë individë. Kjo e dhenë, një reflektim të qasje më strategjike dhe të fokusuar të SPAK në ndjekjen penale gjatë këtij viti raportues.
Gjatë vitit 2025, rreth 29% e çështjeve dhe hetimeve të përfunduara janë transferuar tek prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, një rënie e ndjeshme krahasuar me mesataren e periudhës 2021-2024.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje