Politike

Gazi lotsjellës i skaduar në tubimet e PD, Koçiu: Kam urdhëruar të nisin hetimet

Nga Gazeta ‘Si’- Ministrja e Brendshme Albana Koçiu tha se ka urdhëruar Policinë e Shtetit për të nisur hetimet lidhur me përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar në protestat e Partisë Demokratike.

Koçiu tha se hetimet po vijojnë ndërsa nuk dha një përgjigje nëse është apo jo i dëmshëm për qytetarët.

“Këtë shqetësim e kam ndjekur kam urdhëruar të kryet një hetim nga policia dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Hetimet po vazhdojnë do të dalim në konkluzion. Nëse është i dëmshëm ose jo, këtë nuk di të ta them”, tha Koçiu.

Ajo refuzoi të komentojë vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila liroi të gjithë protestesit e Berishës që sulmuan me molotovë ndaj policëve, duke caktuar ndaj tyre masën detyrim paraqitjeje.

Ndërsa sot mbahet protesta e radhës, Koçiu u bëri thirrje organizatorëve që të distancohen nga aktet e dhunës dhe të mos përdorin të miturit.

“Nuk dua të komentoj vendime gjykatash, s’më takon mua t’i komentoj. Çdo akt dhune është i dënueshëm. Nga çdo akt dhune do duhet të distancohemi, u bëj thirrje të distancohen. Uroj të kemi protestë paqësore, të mos kemi akte të turpshme, uroj mos të kemi dhunë ndaj policisë e hedhje të bombave molotovë, gura e fishekzjarre. Nuk është kjo mënyra, jemi për protestë paqësore, po jo protesta të dhunshme. Të shmangni përdorimin e të miturve.

Organizatorët duhet te distancohen nga përdorimi i të miturve në protestë, sikundër edhe përgjegjësit ligjor të tyre që i përdorin të miturit për të kryer akte të dhunshme dhe te dënueshme. Duhet të bëjnë maksimumin për të mos përfshirë të miturit në protestë. Është gjëja me poshtër, shfrytëzimi i të miturve në protesta. Do doja të kishim edhe një ndërgjegjësim sa i përket forcave të policisë, por edhe ju si media, për të mos incentivuar, apo motivuar këdo që kërkon të krijojë incidente të dhunshme, karshi atyre që janë në shesh për të kryer detyrën e tyre”, tha ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë