Ngjarje

Policia nuk merr përsipër protestën e PD-së: Kemi informacione se do ketë dhunë

Nga Gazeta Si- Policia nuk ka pranuar të marrë përsipër zhvillimin e protestës së Partisë Demokratike, e cila do të zhvillohet në orën 18:00 para Kryeministrisë.

Në një njoftim zyrtar, Policia shkruan se bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur persona të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje PD-së, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.

Pas deklaratës së policisë, Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, në një konferencë për shtyp, tha se policia nuk ka dhënë leje për protestën dhe sipas saj, protesta nuk është u mor përsipër për shkak të akteve të dhunës, por gjithsesi efektivët do jenë në terren.

“Sa i përket faktit që Policia nuk e ka miratuar zhvillimin e protestës, është një procedurë që është e lidhur me 2 protestat e kaluara, duke patur në konsideratë veprimet e dhunshme. E drejta për të tubuar dhe manifestuar është e kujtdo, policia ka për detyrë të ruajë rendin dhe sigurinë”, tha Koçiu.

Koçiu tha se gjithsesi, si të jetë protestë me leje apo pa leje, kushdo që kryen veprime të jashtëligjshme do dënohet penalisht.

Policia e Tiranës ka ndërmarrë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi.

Në zbatim të këtyre masave, sot do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, do të merren masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Kujtojmë se në protestat e mëparshme të Partisë Demokratike ka pasur persona të lënduar si dhe persona të arrestuar. Nga ana e Partisë Demokratike është thënë se është policia që ka dëmtuar protestuesit duke hedhur gaz lotsjellës ndërkohë që Qeveria ka deklaruar se kanë qenë protestuesit që kanë dëmtuar policët me molotove dhe lëndë plasëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë