Gjykata e Romës ka vendosur një dëmshpërblim prej 700 eurosh për një emigrant i cili qëndroi 1 muaj në kampin e Gjadrit, pas marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët e paligjshëm. Vendimi i datës 10 shkurt, i firmosur nga gjyqtari Corrado Bile i Gjykatës së Romës, është i pari që dënon Ministrinë e Brendshme për transferimin e emigrantëve nga një CPR italian, qendër për mbajtjen e emigrantëve, drejt kampit në Shqipëri. Ai përbën një precedent dhe pritet të hapë një front të ri përplasjeje me qeverinë italiane, në mes të fushatës për referendumin mbi drejtësinë.
Sipas gjyqtarëve të Gjykatës së Romës, transferimi i emigrantit në Shqipëri ka “ndikuar drejtpërdrejt në të drejtat themelore të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare dhe nga Kushtetuta”.
La Repubblica shkruan se me 10 prill të vitit të kaluar, emigranti në fjalë, algjerian, i mbajtur në atë kohë në CPR-në e Gradisca d’Isonzo, është transferuar papritur drejt Gjadrit. Atij iu komunikua se destinacioni i tij është CPR-ja e Brindisit, por në fakt u dërgua në Shqipëri. Këtë gjë ia bëjnë të ditur vetëm 48 orë pas mbërritjes së tij.
Emigranti, i cili jeton në Itali prej 19 vitesh, ka një partnere me shtetësi italiane dhe dy fëmijë të mitur. Përveç të tjerash, ai e kishte të pamundur të takonte familjen e tij që jeton në veri të Italisë. Si shumë të tjerë, në Gjadër ai paraqiti një kërkesë për azil. Avokati i tij, Gennaro Santoro, paraqiti ankim dhe më 9 maj gjyqtarët, siç parashikon ligji gjatë periudhës së shqyrtimit të kërkesës për azil, urdhëruan lirimin e tij.
Prej këtej lindi edhe kërkesa për dëmshpërblim për dëmin jopasuror të pësuar, tashmë për herë të parë e njohur nga Gjykata e Romës./La Repubblica/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



