Gazeta Si – Autoritetet italiane kanë nisur hetime lidhur me vdekjen e biznesmenit 54-vjeçar nga Camposampiero, Massimo Ferro, i cili ndërroi jetë më 22 dhjetor në Tiranë, disa ditë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për ngushtimin e stomakut në një klinikë private.
Sipas raportimit të “Corriere del Veneto”, Prokuroria e Padovës ka kërkuar kryerjen e një autopsie të dytë, pasi ekzaminimi i parë mjeko-ligjor ka ngritur dyshime mbi procedurat e ndjekura pas vdekjes.
Gjatë ekzaminimit në Itali, është konstatuar mungesa e stomakut dhe e një pjese të zemrës, të cilat sipas dokumentacionit mjekësor ishin hequr gjatë procedurave të mëparshme në Tiranë.
Gjithashtu, sipas mediave italiane, trupi ishte rikompozuar me materiale që konsiderohen të vjetëruara nga standardet bashkëkohore të mjekësisë ligjore.
Rezultatet e dy autopsive pritet të krahasohen për të përcaktuar nëse vdekja erdhi si pasojë e shkaqeve natyrore apo e ndërlikimeve të mundshme që lidhen me ndërhyrjen kirurgjikale ose trajtimin pas operacionit.
Prokurori i çështjes, Andrea Girlando, ka regjistruar si persona nën hetim një kirurg dhe një dietolog nga Lombardia, të cilët dyshohet se kanë ndjekur historinë mjekësore të pacientit përpara udhëtimit në Shqipëri.
Sipas raportimeve, Ferro, i cili vuante nga diabeti i tipit 2, kishte vendosur t’i nënshtrohej një operacioni për humbje peshe pas përpjekjeve të pasuksesshme ndër vite.
Ai ishte drejtuar fillimisht një klinike private në Milano, e cila i kishte propozuar kryerjen e një gastrektomie “sleeve” në një strukturë partnere në Tiranë. Kostoja e ndërhyrjes, rreth 4.400 euro, ka qenë ndjeshëm më e ulët se çmimet e raportuara në Itali.
Komunikimi mes pacientit dhe kirurgut, ishte zhvilluar kryesisht përmes aplikacionit WhatsApp, element që po shqyrtohet në kuadër të hetimeve.
Pas operacionit, gjendja shëndetësore e 54-vjeçarit u përkeqësua dhe ai ndërroi jetë në njësinë e kujdesit intensiv në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



