Opera lirike e Gaetano Donizetti-t, “L’Elisir d’amore”, pati premierën mbrëmjen e shkuar në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
TKOB e solli këtë opera, me komicitetin dhe romantizmin që e karakterizojnë, pikërisht në muajin e dashurisë. Një lexim i ri skenik e zhvendos veprën në një fshat piktoresk bregdetar, ku shpaloset historia e Nemorinos, djaloshit naiv që beson se një elikzir magjik do ta ndihmojë të fitojë zemrën e Adinës.
Kjo opera interpretohet nga dy kaste artistësh dhe mbrëmjen e djeshme publiku ndoqi Enkeleda Kamanin në rolin e Adinës, Galeano Salas në rolin e Nemorinos, Davide Luciano si Belcore, baritonin e mirënjohur Gëzim Myshketa në rolin e doktorit Dulcamara dhe Ana Tafani në rolin e Gianetta-s.
Kasti i parë i interpretëve mori duartrokitje të gjata nga publiku. Produksioni i ri përcolli me ndjeshmëri dhe humor, besimin tek dashuria e sinqertë, fuqinë e ëndrrës dhe guximin për të dashuruar. Elikziri shndërrohet në simbol të shpresës dhe dëshirës njerëzore për t’u ndjerë i zgjedhur dhe i dashur, duke ruajtur frymën e lehtë dhe lozonjare të komedisë lirike.
Ky produksion, riktheu “L’Elisir d’amore” në skenën shqiptare pas një mungese 14-vjeçare. Opera do të shfaqet sonte, si dhe në datat 13 dhe 14 shkurt. /ATA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



