Kili ka prezantuar Latam-GPT, një projekt që synon t’i ofrojë Amerikës Latine modelin e vet të inteligjencës artificiale (AI) në një sektor të dominuar nga kompanitë amerikane dhe me objektivin e kufizimit të paragjykimeve të vërejtura në sistemet aktuale.
Iniciativa është promovuar nga Qendra Kombëtare për Inteligjencën Artificiale (Cenia) e Kilit, një korporatë private me fonde publike. Ajo është mbështetur gjithashtu nga universitete, fondacione, biblioteka, entitete qeveritare dhe organizata të shoqërisë civile në vende të tilla si Kili, Uruguai, Brazili, Kolumbia, Meksika, Peruja, Ekuadori dhe Argjentina.
Gjatë prezantimit të projektit, Presidenti kilian, Gabriel Boric, theksoi rolin e rajonit në zhvillimin teknologjik global dhe përshëndeti faktin se Latam-GPT do t’i mundësojë Amerikës Latine të pozicionohet si një lojtar aktiv në ekonominë e së ardhmes.
Ministri kilian i Shkencës, Aldo Valle, tha se mjeti synon të shkatërrojë paragjykimet dhe të parandalojë që përfaqësimi i Amerikës Latine në botë të jetë homogjen. Sipas Valle-s, rajoni nuk mund të jetë thjesht një përdorues ose marrës pasiv i sistemeve të inteligjencës artificiale të zhvilluara diku tjetër, pasi kjo mund të rezultojë në humbjen e një pjese të traditave të tij.
Pavarësisht emrit të tij, Latam-GPT nuk është një chat interaktiv. Është një bazë të dhënash e madhe e trajnuar mbi informacionin nga rajoni, e projektuar për të shërbyer si bazë për zhvillimin e aplikacioneve teknologjike.
Një zhvillim me shtrirje rajonale
Zhvillimi i modeleve të mëdha të inteligjencës artificiale është përqendruar kryesisht në Shtetet e Bashkuara, Kinë dhe Europë. Përveç Latam-GPT, kanë dalë edhe nisma të tjera rajonale, të tilla si SEA-LION në Azinë Juglindore ose UlizaLlama në Afrikë, të cilat përqendrohen në kontekstet e tyre kulturore.
Për të trajnuar Latam-GPT, janë mbledhur më shumë se tetë terabajt informacion, një vëllim ekuivalent me miliona libra. Modeli është krijuar me financim prej 550,000 dollarësh, kryesisht nga Banka e Zhvillimit të Amerikës Latine (CAF), përveç burimeve të veta dhe marrëveshjeve me institucione të tjera.
Versioni i parë i sistemit është zhvilluar në cloud-in Amazon Ëeb Services. Në të ardhmen, modeli do të trajnohet në një superkompjuter që do të instalohet në Universitetin e Tarapacá-s, në Kilin verior, gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, me një investim prej afër pesë milionë dollarësh.
Alvaro Soto, drejtor i Cenia, theksoi se modelet e zhvilluara në rajone të tjera të botës përfshijnë të dhëna të Amerikës Latine në një proporcion të reduktuar. Gjatë lançimit, Presidenti Boric ilustroi këtë ndryshim duke krahasuar informacionin e gjerë të disponueshëm mbi rrethimin e Calais me mbulimin shumë më të kufizuar të betejave kryesore të pavarësisë së Kilit, siç është rrethimi i Chillán.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



