Kosova

Gjyqi në Hagë/ Prokuroria: Thaçi i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët

Nga Gazeta ‘Si’– Në Hagë po mbahet dita e dytë e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse në rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Në fjalën e saj, Prokuroria pretendon se Hashim Thaçi ka qenë përkrahës i drejtpërdrejtë i qëllimit të përbashkët kriminal, dhe që kjo gjë sipas tyre mund të vërtetohet bazuar në mënyrën se si ai ka folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova. Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.

Prokurorët, më pas, u janë referuar disa deklaratave në Komunikatën 53 të UÇK-së, të 18 shtatorit 1998, në të cilën Shtabi i Përgjithshëm ka deklaruar se “vetëm në Sferkë, Prapaqan dhe Baran, ku dezertorët, ish-anëtarë të UDB-së, aktualisht institucionalistët sikurse Tahir Zemaj kanë influencë, armiku nuk gjeti rezistencë, pavarësisht se këto fshatra u dogjën, u përvëluan dhe u shkatërruan. Një ditë këta persona do të mbajnë përgjegjësi për dëmet që po u shkaktojnë popullit dhe mëmëdheut”.

Sipas Prokurorisë, ky ishte mesazh i qartë për ata që pengonin kontrollin e UÇK-së.

“Të përshkruhen kontributet e Thaçit si neutrale, është absurde, sepse ka prova për të vërtetuar të kundërtën. Nuk është kontribut neutral të thuash këto fjalë nga një pozicion siç kishte Thaçi dhe nuk është kontribut neutral të marrësh në pyetje, të kërcënosh, të rrahësh persona në Qirez”.

Gjithashtu Prokuroria po pretendon se Thaçi i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët, andaj deklaratat e këtyre të fundit duhet të merren me rezervë lidhur me UÇK-në, komandën e organizatës dhe rolin e ish-eprorëve në të.

“Ata nuk e dinin se ai Thaçi mund të bënte emërime ushtarake…Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet se si funksiononte UÇK-ja. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin asnjë interes për të kuptuar çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjon tashmë ky trup gjykues”.

Për rolin e tyre si ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në kohën e luftës në Kosovë, Prokuroria ka kërkuar për katër të akuzuarit nga 45 vjet burgim për secilin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë