Politike

Rihapja e TikTok, qeveria: Kemi vendosur bazat për mekanizma të reja sigurie

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria shqiptare ka reaguar publikisht për heqjen e masave të përkohshme për bllokimin e platformës sociale TikTok në Shqipëri.

Në reagim sqarohet se aksesimi në TikTok tashmë është i plotë, ndërsa theksohet se do të instalohen mekanizma të rinj sigurie, të cilët më parë nuk ishin të pranishëm.

Në sqarim thuhet se vendimi u mor pas një rivlerësimi institucional dhe adresimit të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

Paralelisht, qeveria njofton se po punohet për hartimin e një plani të mirëfilltë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, të fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online.

“Qëllimi është i qartë dhe i orientuar drejt edukimit digjital, mbrojtjes reale dhe ndërtimi i një kulture sigurie në hapësirën online. Kjo qasje e balancuar synon të garantojë lirinë e aksesit, duke vendosur njëkohësisht interesin e sigurisë dhe mirëqenies së të rinjve në qendër të politikave publike”, thuhet në sqarimin e Agjencisë për Media dhe Informim.

Kujtojmë se TikTok ishte  jashtë funksionit që prej 13 marsit të vitit të kaluar. Vendimi për mbylljen për një vit u ndërmor pas një konsultimi të nisur nga qeveria me prindërit, pas vrasjes së 14-vjeçari Martin Cani në shkollën “Fan Noli”.

Ky bllokim i aplikacionit u kundërshtua nga opozita dhe organizata të shoqërisë civile, të cilat e akuzuan qeverinë për censurë dhe kufizim të shprehjes.

Kryeministri pranoi se ndalimi nuk e zgjidhi dhunën në shkolla, por theksoi se shërbeu për të vendosur mekanizma sigurie që më parë mungonin.

Gjatë kësaj periudhe, qeveria shqiptare ka zhvilluar komunikime me drejtuesit e platformës, me synim vendosjen e filtrave dhe mekanizmave që parandalojnë përhapjen e përmbajtjeve me dhunë apo gjuhë urrejtjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë