Ngjarje

Urdhri i Farmacistëve: Fondi i Kujdesit Shëndetësor ndryshoi çmimet pa njoftim, vështirësi në furnizimin me barna

Nga Gazeta Si- Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë ka denoncuar Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor se ka ndryshuar çmimet e barnave pa njoftim paraprak për Farmacitë dhe depot farmaceutike.

Sipas Urdhrit, mungesa e komunikimit e ka bërë të pamundur njohjen në kohë të çmimeve të reja dhe marrjen e masave të nevojshme për pasqyrimin e tyre, si dhe ka penguar reduktimin e stokut ekzistues të barnave të blera me çmime më të larta.

Në një deklaratë të ndarë për mediat, Urdhri i Farmacistëve thotë se kjo situatë ka sjellë vështirësi në furnizimin e farmacive me barna, pasi barnat të cilave u është ndryshuar çmimi po faturohen me çmimet e mëparshme, duke sjellë dëme financiare të konsiderueshme dhe bllokim të punës.

“Kjo gjendje po çon drejt bllokimit të zinxhirit të furnizimit me barna dhe po rrezikon drejtpërdrejt aksesin e pacientëve tek barnat e nevojshme, duke përbërë një rrezik real për shëndetin e tyre”, thuhet në deklaratë.

Në këtë kontekst, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, si institucioni përgjegjës për përfaqësimin e farmacistëve dhe mbrojtjen e interesave të pacientëve, ka kërkuar nga Fondi informacion zyrtar dhe të detajuar mbi procedurën e ndjekur për ndryshimin dhe aplikimin e çmimeve të reja në sistem.

Gjithashtu, kërkon ndërmarrjen e masave urgjente institucionale për zgjidhjen e këtij ngërçi, me qëllim rikthimin e funksionimit normal të shërbimit farmaceutik dhe garantimin e furnizimit të vazhdueshëm me barna për pacientët.

Në sistem janë ndryshuar çmimet e pothuajse 40 barnave të listës së rimbursueshme për vitin 2026.

Çmimi i tyre në sistem është ulur dhe farmacitë nuk kanë dijeni për çmimet e reja, por përballen vetëm kur hapin sistemin dhe kërkojnë emrin e ilaçit për t’ia dhënë pacientit. Ndërkohë që, sipas tyre, ky bar blihet nga depot farmaceutike me çmim disa herë më shumë se çmimi i ri.

Ndërkohë, për disa barna të tjera me rimbursim, çmimi është rritur disa fish. Në faqen zyrtare të Fondit është vetëm ky njoftim, ku farmacitë që kanë kontratë për rimbursimin e barnave me Fondin paralajmërohen se së shpejti do të ketë ndryshim të çmimeve, ndërkohë që në sistem ka nisur të aplikohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë