Gazeta Si – Jani Aliaj dyshohet se mund të jetë vrarë në burgun grek të Koridhalosit nga një bashkëkombës i tij.
Sipas mediave greke, autoritetet kanë dyshime se autor i krimit mund të ketë qenë Xhuliano Halili, 44 vjeç nga Tepelena, i dënuar me burgim të përjetshëm.
Ai ndodhej në të njëjtin sektor me viktimën dhe me qeli pranë tij. Gjithashtu, ai rezulton të ketë mbetur i plagosur gjatë ngjarjes, duke shtuar dyshimet se ka qenë i përfshirë në vrasje.
Fillimisht, përgjegjësinë për krimin e mori përsipër një i burgosur grek, 27-vjeçari Kristos Vardhuniotis, i cili iu vetëdorëzua policisë duke deklaruar se ishte autori.
Megjithatë, autoritetet kanë vënë re se në trupin e tij nuk ka shenja përleshjeje, ndërsa i vetmi i dëmtuar fizikisht në vendngjarje ishte Xhuliano Halili.
Sipas mediave greke, brenda burgut është përfolur që në orët e para pas ngjarjes se Halili është autori i vërtetë, ndërsa i burgosuri grek dyshohet se është paguar ose kërcënuar për të marrë përsipër fajin.
Këto informacione kanë shtyrë policinë greke të thellojë hetimet dhe të rishikojë versionin fillestar të ngjarjes.
Jani Aliaj ishte përmendur prej vitesh në dosje hetimore si person i dyshuar për përfshirje në përplasjet e të ashtuquajturës “Mafia greke”, megjithëse këto dyshime nuk u provuan kurrë zyrtarisht. Xhuliano Halili, i njohur edhe me nofkën “Niko”, konsiderohet si një prej personazheve më të rrezikshëm të botës së krimit në Greqi. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje me pagesë.
Në vitin 2011, në Kalamata, ai akuzohet se vrau Fillim Mesajan dhe djalin e tij të mitur, një krim i porositur për larje hesapesh nga krimineli grek Vasilis Varelas.
Vrasja e Jani Aliajt duket se nuk është një incident i thjeshtë, por pjesë e një historie më të errët, ku e shkuara kriminale, konfliktet personale dhe rregullat e dhunshme të botës së nëndheshme përplasen brenda mureve të burgut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



