Gazeta “SI”- Jeta e Boualem Sansal ndryshoi në mënyrë dramatike më 16 nëntor 2024. Shkrimtari franko-algjerian u arrestua në Algjer sapo mbërriti në aeroport. I gjithë komuniteti i shkrimtarëve, dhe jo vetëm, u shqetësua për ish-zyrtarin algjerian, i cili u bë i famshëm në Francë me romanin e tij “Betimi i barbarëve”. Kritik i ashpër i islamizmit, Boualem Sansal u arrestua në Algjeri për deklarata publike ku vuri në diskutim historinë dhe integritetin territorial të vendit, gjë që autoritetet e cilësuan si “cenim të unitetit kombëtar”. Rasti u konsiderua gjerësisht politik dhe u kritikua ndërkombëtarisht si shkelje e lirisë së shprehjes. Për këtë deklaratë ai u dënua në mungesë me 5 vite burgim. Arrestimi i tij shkaktoi një valë protestash. Shkrimtari u kthye edhe në një ngërç diplomatik mes Algjerisë dhe Francës. Ishte Gjermania ajo që u ofrua si ndërmjetëse mes Francës dhe Algjerisë për lirimin e Sansal. Lirimi i tij u arrit me sukses dhe Boualem Sansal është tashmë njeri i lirë. Në një intervistë dhënë për FranceInfoTv , ai flet për periudhën e kaluar në burg, mënyrën e arrestimit dhe deri te lirimi i tij me ndërmjetësimin e Gjermanisë.
Si ndiheni pas lirimit nga burgosja 10-mujore?
Pas 10 muajsh burgim rigjej jetën, aromat, pëshpëritjet. Mendoj se do të më duhen disa ditë sa të sistemoj mendimet dhe reagimet. Ka gjëra që më emocionojnë, si për shembull aroma e kafesë, më çmend. Problemi tjetër është se pas disa kohësh burgim, njeriu humbet edhe fjalorin e tij, të folurën. Besoj po e vini re që unë po vuaj të gjej edhe fjalët e duhura.
Ju keni qenë edhe i sëmurë. Si ndiheni tani?
Unë jam diagnostikuar me kancer të prostatës. Nuk jam keq. U trajtova për këtë edhe në burg nga mjekë që ishin profesionistë dhe shumë të sjellshëm. Tani do të më duhet të bëj një vizitë në Paris dhe të shoh çfarë po ndodh. Unë jam edhe anemik, pra kam qeliza gjaku më pak se një njeri normal.
Si ishin kushtet në burg? Si ishte të jetonit i mbyllur?
Kushtet në burg ishin si në çdo burg tjetër. Mure të vegjël, hapësirë e ngushtë dhe asnjë kontakt me të burgosurit e tjerë. Unë nuk kisha as avokat dhe në këtë mënyrë jeta u bë e vështirë në burg. Koha aty rrjedh ngadalë; pas pak muajsh humbet edhe masë muskulare, të duket sikur do vdesësh. Ata janë shumë profesionistë: të arrestojnë, nuk flasin fare dhe pastaj dëgjohen vetëm krismat e dyerve dhe hekurave. Ka një ndjeshmëri mes të burgosurve, edhe pse aty ka vrasës dhe trafikantë.
A keni lexuar gjatë kësaj periudhe?
Aty kishte një bibliotekë, por për çdo gjë duhej leje nga drejtori me shkrim. Ma dha lejen vetëm pas katër muajsh, por ajo që gjeta atje ishin vetëm libra fetarë dhe libra me skica si piqet mishi. As nuk ia dola të shkruaj. Nuk isha gati psikologjikisht. Vetëm kam menduar se si do të shkruaj librin e radhës dhe në ç’mënyrë do ta trajtoja periudhën e burgut: a do të jetë një libër politik apo një libër i të burgosurve.

Rikthehemi te 16 nëntori i vitit 2024, kur edhe ju u arrestuat.
Në fakt është tronditëse. Nuk mendon për asgjë. Kalon në sportel, jep pasaportën dhe polici e kontrollon. Pastaj sportelisti më tha të ulesha dhe të prisja në stol. Prita për një orë. Një oficer policie erdhi, më mori dhe pastaj më vendosën prangat dhe një kapuç në kokë. Unë nuk e dija se ku isha. Thjesht u thosha se, nëse donin përgjigje, të identifikoheshin se kush ishin dhe çfarë donin.
E keni një ide tashmë pse u arrestuat? Një arsye? Një akuzë?
E gjitha thonë se ndodhi për shkak të deklaratës sime për identitetin e territoreve marokene, një tension i cili nisi nga presidenti Macron. Jam arrestuar se kam thënë gjëra që nuk duheshin thënë, por unë e kontrolloj çdo fjalë që them. Tani kam frikë se, nëse shkoj sërish atje me gruan, do të më arrestojnë bashkë me të, ose do të arrestojnë miqtë e mi në Algjeri për t’i pyetur.
Po dita e lirimit? Kush ua dha lajmin? Si ndodhi?
Nuk kam pasur asnjë paralajmërim as nga shërbimet e inteligjencës dhe as nga presidenti Macron, të cilin e takova. Atje, sapo më arrestuan, më thanë se do të lirohesha për një javë ose ndoshta për një muaj, dhe kështu kalova 10 muaj në burg. Vetëm një ditë erdhën dhe më thanë: “Mblidh gjërat e tua, sepse do të dalësh.” Më dërguan në një burg tjetër, më i pistë, më i mbyllur, më i tmerrshëm. Më morën sërish shenjat e gishtave, më morën gjak. Pastaj më dërguan në spital dhe të nesërmen më thanë sërish të mblidhja rrobat e mia. Më futën në një furgon dhe askush nuk më përgjigjej se ku po më çonin, derisa pashë nga dritarja e vogël e furgonit që ishim në aeroport dhe aty e besova se po më deportonin.

Pra, jeni ende i turbullt për atë që ka ndodhur?
Ende nuk e di saktë pse u arrestova. Librat e mi kanë qenë të ndaluar për një periudhë kohe në disa vende të Algjerisë, por ato vazhdojnë të shiten atje dhe të lexohen. Por Algjeria sheh me dyshim gjithçka që vjen nga Franca: nacionalizmi në njërën anë, islami politik në anën tjetër.
Do t’i riktheheni shkrimit?
Sigurisht që do të nis të shkruaj sërish. Shkrimi është jeta ime. Puna ime është dhe gjetja e fjalëve të duhura. Pa dyshim do të shkruaj përsëri.
Përshtatur nga Gazeta “SI”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



