Dy orë në jug të Xhedas, në bregun e Detit të Kuq të Arabisë Saudite, ferma diellore Al Shuaiba shtrihet në rreth 50 kilometra katrorë shkretëtirë. Faza e parë e projektit, e nisur në vitin 2024, prodhon 600 megavat energji elektrike me një kosto prej vetëm 3.9 halala saudite për kilovat-orë (pak më shumë se një cent amerikan), gati 1/20 e kostos së prodhimit të energjisë në centralin bërthamor Hinkley Point C që Britania planifikon të ndërtojë. Plani i Arabisë Saudite për këtë energji kaq të lirë është i qartë: të furnizojë qendra gjigande të të dhënave për inteligjencën artificiale (AI).
Kostoja e “inference”-s, pra procesi i bërjes së pyetjeve dhe marrjes së përgjigjeve nga një sistem AI, përbëhet nga dy elementë: kostoja fikse e pajisjeve kompjuterike dhe kostoja e vazhdueshme e energjisë elektrike për t’i mbajtur ato në punë. Kursimi në pajisje rezulton shpesh një ekonomi e rreme, pasi çipat më të rinj dhe më të shtrenjtë janë zakonisht më efikasë në ekzekutimin e algoritmeve më të avancuara. Prandaj, ofrimi i sistemeve AI më të lira varet kryesisht nga përdorimi i energjisë më të lirë, dhe pikërisht këtu Arabia Saudite beson se ka avantazh.
Kjo strategji u shpall prioritet kombëtar në majin e shkuar dhe mbështetet drejtpërdrejt nga sundimtari de facto i vendit, Mohammed bin Salman (MBS). Një kompani e re, Humain, ka centralizuar përpjekjet nën drejtimin e Tareq Amin, drejtues i Aramco Digital, krahu teknologjik i gjigandit shtetëror të energjisë. “Ne nisëm duke vrapuar, jo duke ecur,” thotë Amin.
Misioni i Humain është pjesë e strategjisë më të gjerë “Vision 2030”, që synon ta largojë Arabinë Saudite nga varësia ndaj naftës. Sipas Amin, rreziku kryesor është zbatimi i vizionit brenda kufizimeve reale. “Nuk kemi zgjedhje. Duhet ta bëjmë këtë, nuk ka plan B,” thotë ai. I lindur në Jordani, Amin ka përvojë në projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë Reliance Jio në Indi dhe Rakuten në Japoni.
Kushtet ideale
Nga ana teorike, kushtet duken ideale. Qendrat e të dhënave kanë nevojë për energji, tokë dhe çipa. Arabia Saudite i ka të parat dyja me bollëk: energji të lirë dhe hapësira të mëdha, në një vend të rrallëpopulluar ku lejet ndërtimore sigurohen lehtësisht me mbështetjen e qeverisë. Brenda dy javësh, Humain identifikoi mbi 200 lokacione potenciale me akses në gjithsej 15.6 gigavat energji, përfshirë katër zona të mëdha pranë burimeve diellore.
Më problematike kanë qenë çipat. Udhëtimi i Arabisë Saudite drejt qendrave të të dhënave për AI nisi me një marrëveshje mes Aramco Digital dhe Groq (kompani prodhuese çipash AI, jo modeli xAI me emër të ngjashëm), për blerjen e gjysmëpërçuesve me vlerë 1.5 miliardë dollarë në shkurt. Këta çipa janë të specializuar për “inference”, gjë që i bën më pak tërheqës për laboratorët e mëdhenj të AI-së, të cilët preferojnë fleksibilitet mes trajnimit dhe përdorimit të modeleve. Megjithatë, ata janë shumë efikasë për uljen e kostos së përdorimit të AI-së, duke e bërë më të lirë prodhimin e “token”-ëve, njësia bazë e konsumit të AI-së.
Një token është thjesht një fragment fjale. Shumica e produkteve komerciale të AI-së tarifojnë për çdo milion token-e të përdorura në një pyetje (për shembull, 1.25 dollarë për milion për GPT-5 të OpenAI) dhe shumë më tepër për token-et e prodhuara në përgjigje (10 dollarë për milion). Oferta e Humain për kompanitë e AI-së është e thjeshtë: ekzekutoni modelet tuaja mbi energjinë saudite dhe prodhoni token-e shumë më lirë sesa çmimet e tregut. Me energji të lirë dhe çipa efikasë, Humain ka arritur të shesë token-e të prodhimit me rreth gjysmën e çmimit të tregut, sipas Amin.
Në nëntor, Humain siguroi çipat më të avancuar në treg. Një vizitë e MBS në SHBA, ku ai është edhe kryetar i Humain, përfshiu një takim miqësor me Donald Trump, që çoi në dhënien e një licence për importimin e 35.000 çipave të avancuar Nvidia, me vlerë rreth 1 miliard dollarë. Sasia nuk mjafton për më shumë se një qendër të vetme të madhe të të dhënave, por përfaqëson një ndryshim të fortë nga përpjekjet e mëparshme amerikane për të kufizuar teknologjinë AI vetëm për aleatët më të afërt. Pak më herët, kompania AirTrunk kishte nënshkruar një marrëveshje 3 miliardë dollarëshe me Humain për ndërtimin e një kampusi qendrash të të dhënave.
Arabia Saudite nuk po ndërton vetëm qendra të të dhënave, ajo po i përdor ato. ALLAM, një model AI në gjuhën arabe i zhvilluar me Autoritetin Saudit të të Dhënave dhe AI-së (SDAIA), është vënë në përdorim nga administrata publike. Humain ka lidhur gjithashtu marrëveshje me kompani si Adobe për integrimin e këtij modeli në aplikacionet e tyre.
Kapitulli i radhës
Këto partneritete sugjerojnë se Arabia Saudite është në rrugën e duhur për të ndërtuar një sektor funksional të AI-së, thotë Derar Saifan nga PëC, i cili parashikon që vendi të hyjë në pesë qendrat kryesore globale të AI-së brenda pesë deri në shtatë viteve.
Sukseset e hershme kanë shtyrë Humain drejt ambicieve edhe më të mëdha. Amin flet tashmë jo vetëm për eksport token-esh apo trajnimin e modeleve, por për ndërtimin e një “sistemi operativ AI për biznesin”, një konkurrent i drejtpërdrejtë i Microsoft Windows, ku departamentet e burimeve njerëzore, financës dhe ligjit zëvendësohen nga agjentë AI, dhe ndërfaqja bazohet në komunikim me chatbot-e, jo në klikime ikonash.
Është një vizion i guximshëm dhe potencialisht utopik. “Nuk mund t’i shtyj afatet, dhe kjo është ajo që më mban zgjuar natën,” thotë Amin. “Nuk po e nënvlerësoj aspak detyrën.”/TheEconomist
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



