Nga Gazeta Si- Debati mes Eliona Pitarkës dhe mjekut pediatër Edi Tushe ka kaluar nga një debat publik në dyert e gjykatës.
Ishte mjeku Edi Tushe, i cili me anë të një reagimi zyrtar tha se “Po sqaroj publikisht se emri im po përdoret pa autorizimin tim në përmbajtje që lidhen me dieta për fëmijë, me qëllime që nuk kanë asnjë lidhje me qëndrimin tim profesional dhe që nuk i kam miratuar apo mbështetur. Nuk kam autorizuar Eliona Pitarkën apo asnjë person tjetër të përdorë emrin tim për të promovuar dieta për fëmijë, këshilla ushqimore apo përfitime personale të çfarëdo forme”, tha Tushe, referuar disa videove ku Pitarka përmend emrin e doktorin në këshillat që jep për kujdesin e fëmijëve.
Pas kësaj ka reaguar Pitarka, duke thënë se postimet e saj ishin vetëm informacion i përgjithshëm për ndihmën e prindërve që nuk përballojnë dot klinikat private.
“Asnjëherë nuk kam publikuar regjimin ushqimor të fëmijëve të mi, as nuk e kam lidhur emrin e Dr. Edit me produkte apo përfitime. Në komunikime private, ai më ka mbështetur të ndaj këshilla të përgjithshme për nënat”.
Pitarka mohon çdo promovim personal, duke thënë se synimi ishte vetëm ndërgjegjësimi dhe jo shkelja etike.
Por, ky reagim nuk ka bindur doktor Edi Tushen, i cili në një tjetër reagim ka deklaruar se cështjen do e dërgojë në gjyq.
“Në vitin 2023 e kam këshilluar personalisht që të mos publikonte informacione dezinformuese dhe të pasakta mbi shëndetin e fëmijëve, përfshirë temperaturat febrile dhe dietat pediatrike, të cilat kërkojnë kompetencë profesionale dhe përgjegjësi ligjore. Pavarësisht kësaj, ajo ka vijuar të publikojë përmbajtje që krijon konfuzion te prindërit dhe dëmton seriozitetin e profesionit tonë”, shkruan në deklaratë mjeku, duke shtuar se si person publik dhe influencer, Pitarka ka përdorur faqen e saj në Instagram për të publikuar “deklarata shpifëse dhe të pavërteta kundër meje personalisht dhe stafit të Klinikës Vera–VIRHOV, duke cenuar rëndë imazhin profesional të institucionit dhe duke dëmtuar besimin e publikut ndaj mjekëve tanë”.
Për më tepër, Tushe thotë se Pitarka ka dërguar mesazhe kërcënuese në numrin e tij personal të telefonit, të cilat janë të dokumentuara dhe përbëjnë element shtesë në vlerësimin penal të kësaj çështjeje.
Për të gjitha sa më sipër, Klinika Vera–VIRHOV ka nisur procedurat ligjore për: shpifje, fyerje, dëmtim imazhi, cënim të reputacionit profesional dhe shkelje të pronës intelektuale.
Ky proces ligjor bazohet në dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, të cilat parashikojnë për veprat penale përkatëse dënime që shkojnë deri në 3 (tre) vite burg, sipas rasteve dhe rrethanave konkrete të faktit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



