Muzike

Ermal Meta rikthehet në Sanremo me ‘Stella stellina’

Gazeta “SI”- Kantautori shqiptar Ermal Meta do të jetë një nga pjesëmarrësit në edicionin e sivjetshëm të Festivalit të Sanremos. Lajmi është bërë i ditur përmes një videomesazhi të publikuar nga organizatorët e festivalit, ku Meta zbulon edhe titullin e këngës me të cilën do të ngjitet në skenën e Aristonit: “Stella stellina”.

Sipas artistit, kënga flet për qëndresën dhe shpresën dhe rrëfen historinë e një vogëlusheje nga këndvështrimi i një të panjohuri.

“Është një këngë që flet për qëndresë dhe shpresë dhe flet për një vogëlushe. Për të menduar se ishte kënga e duhur, më nxiti mënyra se si u ndjeva kur e shkrova, sepse në fund të fundit, ajo skenë shpërfaq të gjitha emocionet që lidhen me këngën, veçanërisht kur janë të vërteta, madje edhe kur dhembin”, shprehet Ermal Meta.

Ai shton se është shumë i emocionuar dhe se, pavarësisht se çdo herë i ka shkuar mjaft mirë në Sanremo, nuk arrin kurrë të mësohet plotësisht me skenën e Aristonit.

Ermal Meta ka një histori të suksesshme në Festivalin e Sanremos, ku ka konkurruar disa herë, duke marrë vlerësime të shumta nga kritika dhe publiku. Ai fitoi festivalin në vitin 2018 së bashku me Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente”.

Në vitin 2017 u rendit i treti me “Vietato morire”, ndërsa në vitin 2021 zuri sërish vendin e tretë me këngën “Un milione di cose da dirti”. Më herët, në vitin 2016, ai kishte konkurruar në Kategorinë e të Rinjve me këngën “Odio le favole”.

Në vitin 2018, Ermal Meta përfaqësoi Italinë në Festivalin Europian të Këngës, Eurovision, së bashku me Fabrizio Moro-n, duke u renditur në vendin e pestë në finale, e cila u mbajt në Lisbonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë