Gazeta Si – Mes personave që dhanë pretendimet e tyre për atentatin në nëntor 2019 në Shkozet të Durrësit, ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, ku mbeti i vdekur shoferi i këtij të fundit, Andi Maloku, ishte edhe Ramazan Rraja, i dënuar me 6 vjet burg për sigurimin e kushteve në këtë atentat.
Në GJKKO, ai pranoi njohjen me Plarent Dervishajn, i cili akuzohet si porositës i atentatit, por shtoi se nuk i ka pasur ndonjë borxh.
“Në burg ndodhem se më keni fut ju, nuk kam ardh me dëshirë të madhe. I nderuar zoti prokuror, me gjithë respektin dhe për drejtësinë dhe ju, unë s’e kam idenë për çfarë kam siguru kushte, për akënd dhe asgjë. Nuk kam komunikuar me askënd, nuk i ka ndodh asgjë Genci Malokut, s’e di pse më akuzoni”, – u shpreh Rraja.
Ndërkohë, që tha se ditën e atentatit kishte qenë jashtë vendit, Rraja mohoi njohjen me Ervin Matën apo “Rrumin e Shijakut”, i cili ndodhej në makinë me ish-prokurorin Arjan Ndoj.
Ai shtoi se kishte dëgjuar se po përgatitej vrasja e familjarëve të tij, pas dyshimeve se kishte marrë pjesë në atentatin në Durrës. Por Ramazan Rraja shtoi se nuk shqetësoheshin fare as për këtë gjë dhe se gjumin e bënin shumë rehat.
“Kam jetuar edhe jashtë edhe në Shqipëri. Nuk kam pasur konflikte me askënd përpara se të arrestohesha. Plaurent Dervishaj e njoh, Redjan Rrajën e kam kushëri, Julian Meçaj e njoh, ndërsa të pandehurit e tjerë i kam njohur në burg. Arjan Ndoj, Vullnet Muça, Aleksandër Laho, etj, nuk i njoh, i kam parë vetëm në televizor. As Ervin apo Luan Matën. Nuk kam pasur aplikacion të enkriptuar. Jam dënuar për ‘sigurim kushtesh’, por nuk di të kem siguruar kushte për ndonjë ngjarje, – deklaroi në GJKKO, Ramazan Rraja. – Nuk kam siguruar kushte as për Arjan Ndojën, as për Genci Malokun. Nuk kam pasur asnjë automjet në përdorim në momentin që jam arrestuar. Kam dijeni që kanë dashur të vrasin familjarët e mi, mesa kam parë në media. Edhe për këtë nuk shqetësohem, gjumin e bëjmë rehat, edhe në rrugë të madhe. Nuk kam dijeni nëse familjarët e mi janë takuar me familjen e Genci Malokut (babai i Andi Malokut që mbeti i vrarë në atentat). Me Plaurent Dervishaj jam takuar vetëm një herë për kafe, detyrim financiar nuk i kam qoftë atij, as ndonjërit. Në 1 nëntor kam qenë jashtë territorit të Shqipërisë përpara dhe pas asaj ngjarje”.
Ramazan Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, është dënuar me 6 vite heqje lirie. Genti Ndërjaku është dënuar me 5.4 vite, Bashkim Haxhia me 4.8 vite, Endrit Sinani me 4.8 vite dhe Julian Pjetri me 4.4 vite.
SPAK kishte kërkuar dënimin me 43 vite në total për 5 anëtarët e grupit kriminal që siguruan kushte e mjete për të kryer atentatin, por që dënimi konvertohej me zbritjen e 1/3 së tij për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, këta persona, nga gushti i vitit 2019 kanë nisur ndjekjen, e Ndojt dhe Lahos dhe kanë siguruar armët dhe mjetet për të kryer vrasjen.
Gjithashtu grupi kriminal, pas dështimit të objektivit, kanë siguruar kushte për të kryer vrasje edhe pas atentatit të 1 nëntorit të 2019.
SPAK zbuloi nga komunikimet në rrjetin “Sky” se Ramazan Rraja, Genti Ndërjaku, Bashkim Haxhia, Endrit Sinani dhe Jualian Pjetri kishin bashkëpunuar me Palurent Dervishajn, ky i fundit në cilësinë e organizatorit dhe financuesit për të kryer atentate ndaj Arjan Ndojës, Aleksandër Lahos, Vullnet Muçës, Genci Malokut dhe Arben Mërkurit (Maneci).
Për këtë ngjarje, është dënuar me burg përjetë, Redjan Rraja, nipi i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja, dhe me 35 vite burg Ariol Halili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



