Njerez

Anton Pashku, zëri modern i vetëdijes estetike në letërsinë shqipe

Gazeta “SI”- Anton Pashku zë një vend të veçantë dhe të pazëvendësueshëm në letërsinë shqipe. Ai nuk ishte vetëm një shkrimtar i talentuar, por një dukuri letrare që e zhvendosi prozën dhe dramaturgjinë shqipe drejt modernitetit të vërtetë estetik dhe filozofik. Në një kohë kur letërsia shpesh mbetej brenda skemave ideologjike dhe formave të konsumuara, Pashku krijoi një gjuhë të re rrëfimore, të mbështetur në nëntekst, ironi, simbolikë dhe vetëdije të lartë për aktin e shkrimit. Kjo e bën veprën e tij të qëndrueshme në kohë dhe të hapur për lexime të reja.

I lindur më 8 janar 1937 në Grazhdanik të Hasit të Thatë, afër Prizrenit, Anton Pashku vinte nga një mjedis që mbartte peshën e historisë, traditës dhe qëndresës shqiptare. Nëna e tij, Geta, ishte nga Zymi, ndërsa babai, Toma (Tonini), bukëpjekës, nga Karashëngjergji, rrëzë Pashtrikut. Këto hapësira dhe përvoja të hershme, të ngulitura në kujtesën kolektive, do të shndërroheshin më vonë në simbole letrare të fuqishme, veçanërisht në prozën e tij tregimtare dhe romanore. Shkollimin fillor dhe një pjesë të gjimnazit e kreu në Prizren, ndërsa gjimnazin real dhe maturën në Prishtinë, qytet ku edhe u formua si intelektual dhe krijues.

Që nga viti 1958, jeta e tij profesionale lidhet ngushtë me gazetën dhe Shtëpinë Botuese “Rilindja”, ku punoi fillimisht si gazetar, më pas si redaktor i rubrikës së kulturës dhe, për më shumë se dy dekada, si redaktor i prozës dhe dramës. Në të njëjtën kohë, Pashku ishte aktiv në jetën letrare si redaktor i revistave “Jeta e Re” dhe “Fjala”, duke ndikuar drejtpërdrejt në formësimin e shijes letrare dhe orientimeve estetike të letërsisë shqipe në Kosovë. Ai ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe, nga viti 1993, anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Shkrimet e para letrare Anton Pashku i botoi që në vitin 1955, shumë herët, ende pa i mbushur njëzet vjet. Që në këto tekste të hershme, si tregimet poetike “Në stuhi” dhe “Klithma”, të botuara më 1957, vërehet prirja e tij për reduktimin maksimal të ngjarjes dhe personazheve, për krijimin e një atmosfere të ngarkuar me tension të brendshëm dhe për zhvendosjen e kuptimit nga sipërfaqja e rrëfimit drejt nëntekstit. Kjo mënyrë shkrimi do të bëhej shenja dalluese e gjithë veprës së tij.

Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike: tema e dashurisë, e trajtuar shpesh si mungesë, si pritje ose si kujtim i thyer; tema e vetmisë, e kushtëzuar nga censura, shtypja dhe totalitarizmi; dhe tema e dhunës së ushtruar mbi individin dhe mbi qenien kolektive. Këto tema nuk mbeten të kufizuara në një realitet lokal, por universalizohen dhe marrin përmasa ekzistenciale, duke e bërë prozën e tij të komunikueshme edhe përtej kontekstit shqiptar.

Tregimi “Kulla” përbën një nga tekstet më përfaqësuese të krijimtarisë së Pashkut dhe një model tematik për pjesën më të madhe të veprës së tij. Në këtë tregim ndërthuren motivi i lashtësisë, drama historike shqiptare, qëndresa dhe ankthi ekzistencial. Kulla shfaqet si simbol i identitetit dhe i mbijetesës, ndërsa përmes figurave të Plakës dhe Birit shprehet lidhja e pashkëputshme mes së kaluarës dhe së ardhmes. Dhuna, e pranishme si kërcënim i vazhdueshëm, del përkohshme përballë forcës së traditës shpirtërore dhe trashëgimisë kulturore.

Romani “Oh” përfaqëson kulmin e arritjeve letrare të Anton Pashkut dhe një nga veprat më të rëndësishme të prozës moderne shqipe. Me strukturën e tij të ndërlikuar narrative, me shtresëzimin e kohës dhe ndërtimin simbolik të personazheve, ky roman krijon një univers letrar ku rrëfimi zhvillohet në disa nivele njëkohësisht. Koha reale dhe ajo fiksionale ndërthuren, personazhet shndërrohen herë në rrëfimtarë e herë në simbole, ndërsa gjuha merr tipare poetike, duke krijuar një tekst të hapur që kërkon lexues aktiv dhe interpretues.

Në veprën e Pashkut, gjuha nuk është kurrë “normale” apo thjesht komunikuese. Ajo është gjithmonë gjuhë poetike, e ngjeshur me shenja që krijojnë marrëdhënie të reja kuptimore. Vetë autori kishte theksuar se shenjat e gjuhës artistike, kur vendosen pranë njëra-tjetrës me saktësi, janë të afta të shkaktojnë “eksplozione jetësore” me intensitet të lartë. Kjo vetëdije estetike e shndërroi shkrimin e tij në një sistem të plotë letrar, ku forma dhe ideja janë të pandashme.

Edhe në dramaturgji, sidomos në dramat “Sinkopa” dhe “Gof”, Pashku ndërtoi një sistem formal modern, duke përmbysur rendin tradicional të fabulës dhe duke e vënë theksin te struktura  dhe raporti me skenën. Dramat e tij u vunë në skenë në Prishtinë, Shkup, Zagreb, Mitrovicë, Ferizaj dhe deri në Paris, çka dëshmon për vlerën dhe universalitetin e tyre artistik.

I quajtur me të drejtë “Xhojsi i letërsisë shqipe” nga Ibrahim Rugova, Anton Pashku la pas një vepër që u fut natyrshëm në rrethin e vlerave estetike më të qëndrueshme të letërsisë shqipe. Sot, krijimtaria e tij është vlerë kulturore kombëtare dhe pjesë e pandashme e studimit të letërsisë bashkëkohore shqipe. Letërsia e Pashkut nuk kërkon shpjegime të gatshme apo lexime didaktike, por dialog të vazhdueshëm, rikthime dhe venerime të reja. Ai mbetet një autor që flet më shumë përmes heshtjes dhe nëntekstit, duke e bërë lexuesin pjesë aktive të kuptimit dhe duke e mbajtur veprën e tij gjithmonë të gjallë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë