Gazeta “SI”- Nata e ndërrimit të viteve festohet në mbarë planetin dhe mbetet një nga momentet më të rëndësishme të vitit, një festë që bashkon familjarë, miq dhe njerëzit më të dashur.
Pavarësisht se mënyrat e festimit ndryshojnë nga një vend në tjetrin, kudo mbizotëron besimi se viti i ri do të sjellë shpresë, fat dhe përmbushje dëshirash.
Edhe në Shqipëri, kjo natë festohet me shumë entuziazëm, por me zakone dhe tradita që e dallojnë nga vendet e tjera shkruan Gazetasi.al.
Për shqiptarët, ndërrimi i viteve nuk është thjesht një moment kalendarik, por një ritual i mbushur me simbolikë, besime popullore dhe një ndjenjë të fortë bashkimi familjar.
Tryeza e bollshme, simbol i mbarësisë
Një nga elementët më karakteristikë të kësaj nate është tryeza e Vitit të Ri. Edhe pse gjatë ditëve të zakonshme konsumi është më i përmbajtur, në natën e ndërrimit të viteve tryeza duhet të jetë e mbushur “sa s’ka ku të rrijë më”.
Gjeli i detit mbetet mbreti i sofrës, por ai nuk vjen kurrë i vetëm. Mish viçi, qengji apo produkte të tjera shtohen, edhe pse shpesh mbeten të paprekura. Sipas besimit popullor, bollëku në tryezë sjell begati për vitin që vjen.

Bakllavaja, ëmbëlsira që nuk mungon kurrë
Bakllavaja është pa diskutim ëmbëlsira simbol e festës. Përgatitja e saj nis disa ditë para Vitit të Ri dhe për shumë familje mbetet një ritual më vete.
Disa zonja këmbëngulin ta përgatisin vetë, duke ruajtur recetat tradicionale, ndërsa të tjera ua besojnë furrave profesionale. Pavarësisht mënyrës, bakllavaja është e domosdoshme në çdo tryezë.
Pijet për çdo shije
Tryeza e Vitit të Ri plotësohet me një larmi pijesh: alkoolike, me gaz, pa gaz apo energjike. Nuk ka rëndësi nëse konsumohen të gjitha apo jo; e rëndësishme është që të jenë aty, si pjesë e idesë së bollëkut dhe festës.
Superpastrimi i shtëpisë

Një tjetër traditë e pandashme është pastrimi i shtëpisë. Çdo cep, çdo dhomë dhe çdo orendi duhet të jetë e pastër, pasi besohet se Viti i Ri duhet të hyjë në një shtëpi të rregullt. Edhe nëse shtëpia është pastruar pak ditë më parë, ajo ripastrohet sërish, pa diskutim.
Fishekzjarrët dhe “lufta” mes fqinjëve
Sapo ora shënon mesnatën, qielli ndriçohet nga fishekzjarrët. Nga ballkonet, dritaret dhe oborret, shqiptarët shfaqin me krenari “arsenalin” e tyre. Nëse fishekzjarrët e fqinjëve duken më të bukur, nuk ka problem: më 1 janar do të ketë një tjetër raund.

Leku në byrek, traditë që sjell kuriozitet
Një zakon tjetër karakteristik është byreku me lekun e fshehur brenda. Të gjithë presin me padurim të shohin se kujt do t’i bjerë këtë vit.
Sot, me rritjen e kostos së jetesës, dilema bëhet edhe më interesante: çfarë shume do të zëvendësojë lekun? Momente plot humor dhe gëzim që e bëjnë tryezën edhe më festive.

Festa vazhdon deri në mëngjes
Tradita tashmë është e njohur: deri në mesnatë festohet me familjen, ndërsa pas mesnate festa vazhdon me shoqërinë. Se ku i gjen mëngjesi shumëkënd, mbetet ende një mister.
Kush hyn i pari në shtëpi?
Sipas besimit popullor, hyrja e parë në shtëpi në Vitin e Ri ka rëndësi të madhe. Thuhet se nëse hyn një djalë i vogël, viti do të jetë i mbarë.
Po aq e rëndësishme është edhe hyrja me këmbën e djathtë, një zakon që vazhdon të respektohet nga shumë familje shqiptare.

Pavarësisht ndryshimeve të kohës, këto tradita vazhdojnë të ruhen dhe të përcillen brez pas brezi, duke e bërë Natën e Ndërrimit të Viteve një festë unike për shqiptarët, ku ndërthuren zakonet, besimet dhe gëzimi familjar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




